Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga Policia serbe. Ai thotë se Policia e Kosovës është treguar “tejet e përmbajtur” këto javët e fundit.
Marrëdhënia e Kurtit me Policinë e Kosovës është rregulluar vetëm kur ai erdhi në pushtet. Tani ai u jep lëbdata atyre, por në vitin 2016, ai thoshte se “Policia jonë ka vdekur për së gjalli”.
Janë të njohura pamjet në qendër të Prishtinës kur Kryeministri i tanishëm e quan një polic “majmun”, ndërkaq sot, pas rrëmbimit të tre policëve është rishpërndarë një video ku Kurti thoshte se policëve të Kosovës “u është dhunuar patriotizmit”, duke i shtrirë në tokë policia serbe. I referohej një rasti që kishte ndodhur afër pikës kufitare në Dumnicë të Podujevës.
“Unë nuk kam shpresë në sundim të ligjit, zbatim të ligjit prej kësaj policie, të cilës nuk i ka mbetur asnjë gram patriotizmi. Ua kanë dhunuar, tre policë në Dumnicë, Xhandarmëria serbe ua ka shtrirë në dushk të malit, ratë”, thoshte Kurti.
Kurti thoshte se s’ka kurrëfarë zemërimi dhe dëshirë për hakmarrje për të gjitha rastet kur policët e Kosovës janë sulmuar. Ai thoshte se Policia po hakmerret vetëm te Lëvizja Vetëvendosje.
“Policia është keq shumë. Është e korruptuar, është e kriminalizuar…”, kishte deklaruar Kurti.