Kosova dhe Serbia me versione të ndryshme për kidnapimin-arrestimin e tre policëve

by informim

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar-arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

banner

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Çfarë u tha në Kosovë?

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi ai në Facebook.

Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, ka njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe ka kërkuar asistencë. Drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.

“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.

Në një konferencë për media, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, e quajti këtë veprim si “kidnapim klasik” nga forcat e njësive speciale serbe.

Ai tha se Serbia edhe në të kaluar ka rrëmbyer policë të Kosovës, sikurse më 2011, kur sipas tij u rrëmbyen dy zyrtarë policorë kosovarë.

“Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore”, tha Kelani.

Ai akuzoi Serbinë se po përdorë rrëmbimet e zyrtarëve policorë për të destabilizuar veriun dhe “për të mbrojtur kriminelët”.

Kelani tha se zyrtarët policorë janë policë patrullues, e paqeruajtës.

“Unë dua të ju siguroj që ata janë tre zyrtarë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeç apo edhe mbi 50 vjeç”, tha ai.

Kelani shtoi se Policia e Kosovës do të shtojë praninë e saj në vendet ku vlerësohet se është e nevojshme.

Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Millun Millenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

Një ditë më herët, autoritetet serbe kanë arrestuar katër qytetarë të Kosovës në Merdare, pikën kufitare që e lidh Kosovën me Serbinë. /REL/

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy