Kryeministri shqiptar Edi Rama në konferencën për media ku anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, tha se “bashkësia euroatlantike”, është “absolutisht e vendosur” për ç’montimin e bandave kriminale në Veri të Kosovës, të cilat dirigjohen nga Beogradi. Sipas Ramës, tashmë janë verifikuar edhe identitetet e të dyshuarve për veprime të dhunshme në Veri dhe i është kërkuar Beogradit që ata që kanë qenë të importuar nga Serbia të arrestohen e të vihen para drejtësisë. Përkrahjen për veprime ligjore ndaj kriminelëve në veri, sipas Ramës e ka edhe Kosova.
I pyetur rreth rrezikut që i kanoset Kosovës nga bandat kriminale në Veri dhe veprimeve të tyre të dhunshme kohë pas kohë ndaj policisë, KFOR-it e gazetarëve, Rama tregoi hapat që i ka ndërmarrë “bashkësia euroatlantike”, për bandat në Veri.
“Banda kriminale ka në çdo shtet të botës dhe banda kriminale nuk ka asnjë kompromis nuk diskutohet kjo, unë po flas për kërcënime të një natyre tjetër, banda kriminale mund t’ju them që bashkësia euroatlantike është absolutisht e vendosur që ta mbështesë çmontimin e tyre dhe nuk ka asnjë diskutim për këtë”, tha ai, transmeton Gazeta Express.
Ai thotë se Bashkësia Euroatlantike i ka verifikuar identitetet e atyre që u importuan nga Beogradi dhe Serbisë i kërkoi arrestimin e tyre.
“Bashkësia euroatlantike i ka verifikuar identitetet e atyre që kanë marrë pjesë në aktet e dhunshme dhe i ka kërkuar qartësisht qeverisë së Beogradit, sa i përket atyre që kanë qenë të importuar që të arrestohen dhe të vihen para drejtësisë dhe i ka dhënë Qeverisë së Kosovës mandatin që të veprojë, por ka një problem në dukje të vogël, por që është bërë problem i madh”, u shpreh Rama tutje.
Por, sipas tij njëherë duhet gjetur zgjidhja për “gjënë në themel”, e pastaj të vazhdohet luftimi i bandave kriminale.
“Bashkësia euroatlantike thotë të fillojmë me këto hapa dhe pastaj vazhdojmë me tjerat sepse është për t’u zgjidhur gjëja në themel, pastaj mund të vazhdojnë lufta me kriminelët siç vazhdon në çdo shtet dhe mund të bëhet në bashkëpunim të plotë me forcat e tjera që janë atje”, tha Rama.
Rama rithekson se hapi i parë është marrëveshja dhe jo luftimi i bandave.
“Kur ata që janë plagosur drejtpërdrejtë dhe që i përfaqësojnë si shtete KFOR-in thonë këta kriminelë duhet të vihen para përgjegjësisë, por hapi i parë është ky, atëherë duhet bërë hapi i parë. Interesi i Kosovës është sa më shumë qetësi. Për të marrë njëherë të madhen marrëveshja që çon në njohje..”, u shpreh ai ndër të tjera.
Dje Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkovic -Lune i cili sipas Ministrit Svecla është njëri prej drejtuesve të Mbrojtjes Civile. Svecla ka thënë se Lune ka qenë njëri prej organizatorëve të sulmeve ndaj Policisë dhe KFOR’it.
Ngjarja ka nxitur grumbullimin e serbëve në Mitrovicë të Veriut të cilët kanë sulmuar veturat e policisë së Kosovës duke ua thyer xhamat.
Gjendja në Veri mbetet e tensionuar që prej se atje shkuan kryetarët shqiptarë të katër komunave, nën përcjelljen e pjesëtarëve të njësisë speciale, për të punuar në objektet komunale të cilat i braktisën kryetarët serbë muaj më parë.
SHBA dhe BE ka kërkuar që të tërhiqen pjesëtarët e njësisë speciale dhe që kryetarët e komunave të punojnë në objekte alternative. Kryeministri Kurti ka paraqitur një plan 5 pikësh por BE ka reaguar duke thënë se ai s’ka bërë hapa drejt shtensionimit. Si pasojë e gjendjes së krijuar mes Kosovës dhe “bashkësisë euroatlantike”, Kryeministri Edi Rama ka anuluar mbledhjen e përbashkët të caktuar për t’u mbajtur sot në Gjakovë