Një luftë e ftohtë, një luftë e hapur dhe në distancë mes Paris Saint-Germainit dhe yllit të tij kryesor, Kylian Mbappe.
Gjithçka nisi në natën e së hënës kur qarkulluan zëra se sulmuesi dëshironte ta refuzonte opsionin për vazhdimin e kontratës së tij nga viti 2024 në 2025.
Me një vit të vetëm të kontratës, u hap sërish qielli.
Duket se, njëjtë si vitin e kaluar, prapë në mendjen dhe në zemrën e ish-sulmuesit të Monacos është rikthyer Real Madridi.
Mbappe e kërkon largimin nga Parisi gjatë verës që po vjen dhe PSG-ja nuk e ka pritur aspak mirë këtë vendim të tij.
Mediumi francez “Le Parisien” raporton se PSG-ja është e informuar që Mbappe mezi pret që të shkojë në Madrid qysh në këtë verë.
Madje, parisienët thonë se lojtari ka gënjyer publikisht dhe se i ka prerë në besë pasi i kishte premtuar ata që do ta shfrytëzonte opsionin e vazhdimit të kontratës.
Një gjë të tillë, nënkampioni i botës thotë se nuk e ka thënë asnjëherë.
Sidoqoftë, për të mos e humbur pa para në verën e vitit 2024, kur edhe do t’i skadojë kontrata, klubi nga “Parku i Princave” po mendon ta shesë lojtarin në muajt në vazhdim.
Pra, ky mund të ketë qenë sezoni i fundit i 24 vjeçarit në Paris.
Krahas Real Madridit thuhet se interesim për Mbappen kanë shfaqur edhe klubet angleze.
Por, klubi që dëshiron ta bëjë të vetin lojtarin duhet t’i paguajë hiç më pak se 200 milionë euro, përkundër faktit se atij i ka mbetur vetëm edhe një vit kontratë.