Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për inspektimin në kompaninë “Pharma Leadër” i kryer gjatë ditës së sotme.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se inspektimi është realizuar derisa organet e rendit, por sipas tyre, përkundër denoncimit publik, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në raport me dyshimet për falsifikim të dokumentit.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në kompaninë “Pharma Leader”, Inspektorati Farmaceutik është asistuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Bëhet e ditur se gjatë këtij inspektimi janë gjetur edhe disa pako të insulinave me afat të skaduar.
Gjithashtu, njoftohet se janë kontrolluar edhe dokumentacionet që ndërlidhen me rregullsinë e veprimtarisë së kësaj kompanie.
“Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë, me datë 13 qershor 2023, në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike, ka dorëzuar njoftimin për dyshimin e falsifikimit të dokumentit nga ana e kompanisë ‘Pharma Leader’. Presim sa më parë nga Prokuroria që të ndërrmarrë të gjitha masat në funksion të zbatimit të ligjit lidhur me kryerjen potenciale të veprës penale – mashtrim në prokurim publik, falsifikim të dokumenteve me qëllim përfitimi dhe, mbi të gjitha, rrezikim potencial i shëndetit publik”, thuhet në njoftim.