Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se bashkë me të në PE ka marrë edhe një delegacion që përbëhet nga Vasfije Krasniqi, Fahrije Hoti, Hana Qerimi, Egzon Syla, Blerta Basholli, Liudmyla Makei.
“Sot me vete kam një delegacion që është përfaqësim më i vërtetë i Republikës sonë të dashur, përfaqëson historinë tonë të rëndë dhe sfiduese, por edhe frymën e rezistencës, këmbënguljes dhe vendosshmërisë që është premtim për një të ardhme më të mirë.”
“Ka qenë vetëm 16 vjeçare kur forcat e Millosheviqit e hoqën nga krahët e nënës së saj dhe e çuan në një vend tjetër që do të shënonte momentin më të errët të jetës së saj. Ajo ishte mbajtur për orë të tëra në kërcënimin e armës dhe përdhunua. Por ishte Vasfija ajo vetë që e kuptoi se plagët mund të thellohen në heshtje dhe e ngriti zërin për drejtësi, kundër stigmës dhe arriti ta mbledhë gjithë popullin pas vete. Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha Osmani për Vasfije Krasniqin.
Ndërsa për Fahrije Hotin tha se “ajo e ktheu pikëllimin në motivim, ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri”.
“Jemi të rrethuar nga heroina të shumta të vendit tim. Ajo vjen nga fshati Krushë, ku u vranë pothuajse të gjithë burrat”, tha Osmani.
Osmani përmendi Korporativën Krusha që drejtohet nga Fahrije Hotin.
“Veprimet e saj, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores brilante Blerta Basholli. Blera që është poashtu këtu me mu u bë artistja më e preferuar e të gjitha kohërave në vitiin 2021 në festivalin në Sundance”, tha ajo.
Presidentja përmendi edhe rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë.
Historitë e këtyre njerëzve, sipas Presidentes Osmani janë “mishërimi i qëndrueshmërisë”.
Në këtë kontekst, Presidentja përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi.
“Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani.
Në fjalimin e saj, Presidentja prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla-n. Liudmyla Makei, gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën.
“Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, ka thesuar ndër të tjera Presidentja Osmani.