Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka thënë se Qeveria e Kosovës po prish edhe raportet vëllazërore me Shqipërinë, jo vetëm me miqtë ndërkombëtarë, me veprimet e saj në veri të vendit.
Ai tha se përderisa Kosova po vepron kokë në vete, në raste krizash po kthehet për të kërkuar ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.
“Jemi me një situatë kur po armiqësohemi me miqtë tanë, dhe jo vetëm me miqtë por edhe me vëllezërit tani. Vendimi i Ramës vjen si pasojë i mos-bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me veprimet në veri të Kosovës. Akterët përgjegjës për prishjen e këtyre marrëdhënieve, tani kërkojnë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Quni në DPT te Fidani.
“Do doja që kjo thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë, të mos jetë vetëm për këtë situatë. Bashkëpunimi do të duhej të ishte permanent, jo vetëm kur kemi nevojë”, ka shtuar ai.
Quni ka thënë se Kosova nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për të menaxhuar kriza në raport me Serbinë. Ai ka thënë se kufiri me Serbi, për Kosovën është kufi me Rusinë.
“Ne nuk i kemi kapacitetet e duhura për t’i menaxhuar situatat e krizave, jo vetëm me Serbinë, e aq më pak kur prapa Serbisë qëndron Rusia. Ne nuk kufizohemi me Serbinë, ne kufizohemi me Rusinë”, ka theksuar Quni.
“Nëse nuk ke partneritet të fuqishëm dhe aleat siç është SHBA dhe shtetet e Evropës, është paradoks nëse ti e merr guximin që me kapacitetet tona të limitume t’i përballojmë të gjitha skenarët e mundshëm, jo vetëm në veri”, ka thënë Quni në emision.