Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka reaguar sot pas anulimit të mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri, gjersa potencoi se përveç anulimit të mbledhjes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk shkoi as në Prizren për të marr pjesë në 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Zaimi në një postim në Facebook duke ironizuar vë në pah se më 29 korrik sivjet shënohet 110 vjetori i Konferencës së Londrës që gjymtoi Shqipërinë, gjersa thekson se kjo duket datë e mirë për takimin e radhës të “Open Balkan
Lexoni të plotë postimin e tij:
Kryeministri Rama nuk shkoi në Prizren në 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 qershor. Ai anuloi dhe mbledhjen e dy qeverive Shqipëri – Kosovë dje në 145 vjetorin e Kongresit të Berlinit që copëtoi tokat e shqiptarëve.
Më 29 korrik sivjet shënohet 110 vjetori i Konferencës së Londrës që gjymtoi Shqipërinë. Datë e mirë duket kjo për takimin e radhës të “Open Balkan”. Mbase le ta organizojnë në Durrës, ku para një shekulli e një dekade Serbia zbriti me ushtri dhe themeloi Opshtinën Draç.
Sa i përket kryeministrit Kurti, ai do të vazhdojë përpjekjet për t’ua sqaruar fuqive perëndimore pozicionin e tij, që është mbrojtje e kufijve, zbatim i ligjit, demokraci dhe barazi në trajtimin e qytetarëve e komuniteteve, si dhe aleancë e partneritet ndërkombëtar që bazohet në respektimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër.
Duke qenë se këto vlera janë propozime të vazhdueshme nga vetë fuqitë perëndimore, duke qenë se vetë kryeministri Kurti nuk është as i korruptuar e as i kriminalizuar, unë kam bindjen e fortë se do të gjendet mirëkuptimi, përtej oportunizmave.