Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me licencën e Klan Kosovës, duke thënë se nëse kryeministri Kurti e ka brengë Serbinë, do të duhej të niste nga Martin Berishaj që siç tha, importon rrymë prej Serbisë dhe prej Nagip Krasniqit që ndërmjetëson këtë importim.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova ai shtoi se kreu i qeverisë do që të ndjellë frikë.
“Këtu thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo shtëpi e në çdo lagje që të bëhen pjesë e këtij refuzimi, por edhe të jap edhe një paralajmërim edhe për qeverinë që kjo rrugë e zgjedhur nga regjimi totalitar që sulmon median, demokracinë dhe që sulmon aleatët tanë, na sjellë vetëm në një gjë – në përplasje qytetare”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tutje shtoi se në këto 33 vjet përpjekjeje për liri, pavarësi e demokraci, fjala e lirë ka qenë pjesë esenciale e organizimit tonë.
“Ne kemi pasur demokraci edhe në pushtetet tjera që kanë qenë shumë më të rënda, e besa edhe më të rrezikshme, dhe s’ia kanë dal. Kjo është një betejë e humbur dhe për këtë ju them se LDK-ja do t’ju dalë në anë e ballë të regjimit totalitar”, përfundoi kreu i LDK-së, Lumir Absixhiku.