Qeveria Federale e Gjermanisë në një përgjigje për media ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të marrin masa të menjëhershme për de-eskalim të tensioneve në veri të Kosovës. Kështu kanë thënë nga Berlini zyrtar të pyetur lidhur me tensionin e vazhdueshëm në veri, rastin e 3 policëve dhe mospranimin e propozimit të BE-së për de-eskalim nga Qeveria e Kosovës,
“Gjermania i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të marrin masa për të de-eskaluar tensionet në veri të Kosovës”, kanë thene ai.
Gjithashtu kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit bashkë me Aneksin e Implementimit, derisa theksojnë në mënyrë të veçantë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Kjo në mënyrë eksplicite përfshinë themelimin e Asociacionit”, thuhet tutje në përgjigjen e Qeverisë Gjermane për Express.
Të pyetur rreth masave që janë përfolur se BE do t’i marr në rast se s’do të pranohen propozimet për de-eskalim, nga Qeveria Gjermane kanë thënë se në qëndrimin e 3 qershorit, BE e ka bërë të qartë që do të marrë veprime në rast se nuk do të merren hapa për de-eskalim.
Derisa kanë shtuar se nuk flasin publikisht lidhur me diskutimet e brendshme rreth masave të mundshme.
“Në një deklaratë të datës 3 qershor, BE-ja e ka bërë të qartë se do të ndërmarrë veprime vendimtare nëse nuk do të ndërmerren hapa de-përshkallëzues. Përveç kësaj, ne nuk komentojmë publikisht diskutimet e brendshme”, kanë përfunduar nga Qeveria Federale.