Kryeministri Albin Kurti gjatë një fjalimi në Forumin e Prespës ka kërkuar nga komunitet ndërkombëtar që ta dënojnë si akt agresion të Serbisë ndaj Kosovës rrëmbimin e tre policëve.
“Dua të falënderoj Departamentin e Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë pa kushte. Dhe mendoj se kjo është rruga përpara. Fillimisht, na duhen që policët të kthehen dhe në të njëjtën kohë na duhet që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë agresionin serb ndaj Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, nga NATO Kurti kërkoi që këtë ta konsiderojë dhe ta dënojë edhe si shkelje të Marrëveshjes së Kumanovës.
“Serbia gjithashtu shkeli artikullin 4 të Marrëveshjes së Kumanovës dhe mendoj që NATO duhet ta dënojë shkeljen e Marrëveshjes së Kumanovës nga Serbia për akt agresioni ndaj Kosovës”.
Kurti tha se Kosova ka vetëm një alternativë – komunitetin euroatlantik.
“Ne jemi në një linjë me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n. Ne s’kemi tjetër alternativë dhe nuk duam të kemi për këtë. Unë besoj që BE është më i rëndësishmi projekt për paqe dhe prosperitet në planet që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne duam të kontribuojmë dhe jo vetëm të përfitojmë. Në besojmë në bashkëpunimin transatlantik”.