Kidnapimi i tre policëve në territorin e Kosovës nga forcat serbe, masa e paraburgimit dhe reagimet vendore e ndërkombëtare

by informim

Tre policë të Kosovës janë arrestuar të mërkurën në brendi të Kosovës nga forcat speciale të Serbisë, ndërkaq të premten Gjykata në Kralevë iu dha masën e paraburgimit për 30 ditë.

Për masën e paraburgimit ndaj tre policëve të Kosovës bëhet e ditur në një njoftim të Prokurorisë së Lartë Publike në Kralevë.

Sipas njoftimit, tre policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

“Sipas propozimit të prokurorit publik të Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë, gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kraljevë ka urdhëruar paraburgimin për të gjithë të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

Për arrestimin e tyre kanë reaguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Zyrtarë të tri shteteve kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve.

Ndërkaq, SHBA-të dhe Britania e Madhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Ata u kidnapuan të mërkurën, më 14 qershor në territorin e Kosovës.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thekson se dëshmitë në dispozicion sugjerojnë se rrëmbimi ndodhi në territorin e Kosovës, ishte i parapërgatitur dhe u krye nga njësitë speciale të Forcave të Armatosura dhe Xhandarmërisë Serbe.

“Veprimet e marra nga Qeveria Serbe në rrëmbimin e anëtarëve të Policisë së Kosovës paraqesin një eskalim të qëllimshëm, të paraparë dhe agresiv të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. QKSS dënon me vendosmëri këto akte në dëm ndaj paqes dhe stabilitetit.

QKSS i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht NATO/KFOR dhe BE-së, për të shpejtuar kthimin e pjesëtarëve të Policisë në Kosovë. Gjithashtu, masa konkrete për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës duhet të zbatohen, pasi potenciali për konflikt vazhdon të rritet çdo ditë”, thuhet në reagim.

Por, për KFOR-in vazhdon të jetë e paqartë se ku ndodheshin policët në momentin e arrestimit.

“Pas ndalimit më 14 qershor të tre policëve të Kosovës, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka shqyrtuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe.

Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.

Në këtë lokacion, afër vijës kufitare administrative, si institucionet në Kosovë, ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in.

I rikujtojmë të dyja palët përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Në reagimin e KFOR-it, po ashtu thuhet se “ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Ndërkaq, pas kidnapimit të tre policëve kanë reaguar zyrtarë shtetërorë dhe ata nga partitë opozitare.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kidnapimin e policëve e ka quajtur agresion.

“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha presidentja.

Tutje theksoi se akti i së mërkurës dëshmoi se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima.

Edhe kryeministri Albin Kurti kidnapimin e tre policëve të Kosovës e ka quajtur agresion të Serbisë ndaj Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi theksoi se Serbia bëri një akt armiqësor dhe të agresionit ndaj Kosovës.

“Arrestimi i policëve tanë brenda territorit tanë janë shkelje e sovranitetit. Mbi të gjitha ky është një provokim i hapur dhe qëndrim i qartë se Serbia nuk dëshiron paqe në Kosovë”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku theksoi “të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri”.

“Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i pa alternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar”.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi më tej se situata e krijuar në veri të Kosovës, e bën të dyshojë në qëllimet e Kurtit.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy