Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR i ka dënuar ashpër sulmet gjatë të premtes ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Në reagimin e KFOR-it thuhet se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt”, thuhet në komunikatën për media.
Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë dislokuar rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme.
“KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
KFOR-i ka thënë tutje se vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, dhe se mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja rrugë përpara.
“Gjithashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik”.
Policia ka konfirmuar se nëntë gazetarë e kameramanë nga mediet e Kosovës janë sulmuar nga persona të maskuar në Leposaviq të premten. Në njoftim është bërë e ditur se disa prej tyre kanë pranuar tretman mjekësor.
Ata janë sulmuar me shok-bombë, gurë e mjete të tjera të forta dhe përveç lëndimeve, iu janë dëmtuar edhe pajisjet e punës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), teksa ka reaguar lidhur me sulmet ka thënë se ato kanë ndodhur në prani të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.“…të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin”, ka thënë AGK-ja, duke shtuar se kërkon nga KFOR-i që të mos i pengojnë gazetarët gjatë raportimit, “meqë siguri nuk po iu ofrojnë”.