Enver Hasani: Dekani i Juridikut Avni Puka nuk ka doktoratë nga Italia, ka mashtruar

by informim

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënive Ndërkombëtare Enver Hasani e ka denoncuar Avni Pukën, Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetit La Sapienza”.

Në një letër që Hasani ia ka dërguar Qerim Qerimit Rektorit të UP’së “Hasan Prishtina” ka thënë se autoritetet e Universitetit “La Sapienza” ia kanë konfirmuar se Avni Puka nuk ka kryer doktoraturën në këtë institucion.

banner

Në letrën e ish -Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese që është edhe ligjërues në UP, të cilën media do ta publikojë të plotë, kërkohet që ky mashtrim të zbardhet

Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën e Hasanit bashkë me dëshmitë që ai i ka ofruar Rektorit.

I nderuar Rektor Qerimi,

Në vijim të këtyre rreshtave, ju do të gjeni përshkrimin tim të një mashtrimi të madh, të provueshëm, që kolegu ynë Avni Puka, dekan aktual i Fakultetit Juridik të UP “Hasan Prishtina”,  e ka bërë ndaj gjithë neve dhe ndaj publikut të gjërë, në Kosovë dhe përtej, duke gënjyer keq se ka kryer doktoratë në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza” në Romë të Italisë. Përveç këtij mashtrimi, ju do të gjeni edhe një mashtrimi tjetër të kolëgut në fjalë, që ngelet për t’u provuar, dhe që ka të bëj me një doktoratë që ai e ka marrë në Fakultetin Juridik të UP “Hasan Prishtina”.

I.                   Mashtrimi i parë i madh

Më datën 22 shtator 2017, z. Avni Puka ka dërguar letër me të cilin njofton krejt personelin se i njëjti gjoja ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza” të Romës (Itali). U pata gëzuar shumë. Në fakt, të gjithë patëm gëzuar pa masë, siç jemi gëzuar çdoherë kur të tjerët kanë pasur suksese akademike dhe shkencore. Zaten kjo ka qenë arsyeja pse, në mënyrë unanime,  ne mbështetëm kandidaturën e tij për postin e dekanit, por edhe për postet tjera në kuadër të UP “Hasan Prishtina”, të bindur se i njëjti ishte një kuadër i Universitetit “La Sapienza”. Letra e Avniut jepet bashkëlidhur me këtë email, me shifrën 01 (me tekstin shtesë). Si e tillë, letra gjendet në emalin e të gjithë atyre që figurojnë në listën e pranuesve të saj. Së bashku me te është edhe urimi im i sinqertë për doktorim të tij, që nuk dallon nga urimet që kolegët tjerë i patën bërë atyre ditëve të gëzimit për këtë sukses të tij, në të cilin nuk dyshonim aspak.

Ajo që z. Avni Puka na thotë në atë letër, megjithatë, nuk është fare e vërtetë: Avniu asnjëherë në jetën e tij nuk ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza” në Romë të Italisë. Autoritetet e Universitetit “La Sapienza” ia kanë konfirmuar autorit të këtyre rreshtave, me shkrim dhe me gojë, se z. Avni Puka nuk ka marrë asnjëherë titullin e doktorit, apo titullin “PhD”, siç na e ka thënë në letrën e tij si më sipër me shifrën 01 (dhe me tekstin shtesë). Këto të dhëna të “La Sapienza” janë në dosjen e autorit të këtyre rreshtave, kurse bashkëlidhur si shtojcë me këtë email  jepet vetëm përgjigja e fundit, me shifrën 02 (me tekstin shtesë). Historiku i këtij hulumtimi, që gjendet në dosjen e këtij autori, ngelet i qasshëm për ata që, besojmë shumë, duhet të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të çojnë deri në fund zbardhejn e këtij mashtrimi.

E keqja e Avniut nuk përfundon këtu ! Ai ka vazhduar edhe me thellë me mashtrim, duke i dhënë atij përmbajtje konkrete: pasi na ka vënë në lajthitje të gjithëve, mashtrimin e vet e ka pasuruar tutje, anise për fat të keq kjo i takon fushës penale, duke hyrë qartë në zonën kriminale të veprës penale të mashtrimit, përmes kontribuimit në krijimin e elementeve thelbësore të veprës penale më të njëjtin emër – veprës penale të mashtrimit. E kemi fjalën për zgjedhjet e tij akademike të viteve 2016 dhe 2022. Në zgjedhjen e tij të parë, sipas raportit vlerësues të datës 29 dhjetor 2016, me nr. Protokolli 05/1550,  për marrjen e thirrjes akademike të “Prof. Ass.”, Avniu nuk ka thënë asnjëherë se gjendet në studime të doktoratës në “La Sapienza” të Romës në Itali. Vetëm një vit më vonë, ai do të na thotë se ka doktoruar në “La Sapeinza”. Kjo nuk është reflektuar në CV-të e tij të kohës, ku thuhet se i njëjti gjendet gjendet duke bërë një doktoratë, përkatësisht se ka bërë një doktoratë në “La Sapienza”. Dy këto variante të këtyre CV-ve gjenden në dosjen e autorit të këtyre rreshtave, me URL përkatës. Përtej kësaj, në ndërkohë, një raport i Universitetit “La Sapienza”, gjithashtu bashkëlidhur me këtë email (fq. 25-27), me shifrën 03 (me tekstin shtesë), flet vetëm për aktivitetin doktoral për vitin 2013-2014 të kandidatëve. Aty, në fq. 25-27, gjendet edhe emri i z. Avni Puka, por që bën fjalë për aktivitete që ai vetë i ka raportuar dhe që janë të kryera kryesisht në vendet shqipfolëse në Ballkan, pra aktivitete të bëra gjoja në Romë dhe kryesisht në gjuhën shqipe (sic!).

As këtu nuk përfundon mashtrimi i Avniut. Në zgjedhjen e dytë, për thirrjen akademike “Prof. Asoc.”, mashtrimi bëhet edhe më brutal dhe është i freskët sepse është bërë në kohën pasi ka siguruar postin e dekanit. E kemi fjalën për sa vijon: më datën 2 qershor 2022 është shkruar një raport vlerësues në favor të tij, me nr. Protokolli 10/58, ku Avniu ka vënë në lajthitje kolegët e Fakultetit Juridik, të cilët kanë shkruar këtë raport pozitiv për avansim të tij në thirrjen akademike të “Prof. Asoc.” Raporti në fjalë jepet bashkëlidhur me shifrën 04 (me tekstin shtesë). Këtu ju do të shihni se mungon nostrifikimi, në ndërkohë që disa herë thuhet se kandidati Avni Puka ka doktoruar në “La Sapienza” të Italisë. Një rrenë e kulluar: z. Avni Puka kurrë nuk ka kryer doktoratë në “La Sapienza”. Ju njoftojmë më këtë rast se, as në MASHT dhe as në dosjen e tij në Fakultetin Juridik nuk ekziston asnjë nostrifikim, në fakt as ndonjë kërkesë e tij për nostrifikim të ndonjë diplome të fituar jashtë vendit. Kjo mungesë e kërkesës vjen krejt natyrshëm, sepse nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë, për arsyen e thjeshtë se nuk ka pasur çfarë të nostrifikohet: Avniu ka gënjyer dhe mashtruar tërë kohën, ai kurrë nuk ka bërë doktoratë në Universtetin “La Sapienza”. Në CV-në e vet, z. Avni Puka, deri para disa muajve, e ka pasur të shkruar se ka doktoruar në “La Sapienza”. Ky autor i posedon kopjet dhe ueb faqet ku janë publikuar  CV-të në fjalë. Aktualisht, në CV-në e tij në ueb faqen e Fakultetit Juridik të UP “Hasani Prishtina”, Avniu më nuk e thotë se ka doktoruar në Universitetin “La Sapienza” të Italisë. Mbase ka besuar dhe beson akoma se ka kryer misionin e tij të mashtrimit, ka fituar thirrjet akademike dhe më nuk ka më nevojë të gënjejë se ka doktoruar në “La Sapienza” (sic!). Krejt kjopërbën shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe përdhunim brutal të normave më themelore etike të një arsimtari universitar, sepse ka fituar në mënyrë tërësisht të kundërligjshme dy thirrjet akademike. U muar vesh, përtej çdo dyshimi, kjo përfaqëson edhe veprimtari ordinere kriminale të veprës së penale të mashtrimit.

II.                Mashtrimi i dytë, jo fort i vogël, nëse jo edhe më i madh se i pari

Në vijim për sa më sipër, z. Avni Puka, siç dihet, ka mbrojtur një doktoratë në Fakultetin Juridik të UP “Hasan Prishtina” më datën 8 shtator 2016. Përkundër detyrimit ligjor, që e kanë respektuar të gjithë kolëgët që kanë doktoruar në Prishtinë, për të vënë në ueb faqe doktoratat e tyre, Avniu këtë nuk e ka bërë asnjëherë. Ka qenë dhe ngelet detyrim ligjor që çdo doktorant i UP “Hasan Prishtina” të dërgoj një kopje të gjallë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Budi”, gjë të cilën Avniu gjithashtu nuk e ka bërë (nuk figuron fare në bankën e të dhënave të saj elektronike). I vetmi vend ku z. Avni Puka ka dërguar dicka, ngelet Agjencia e Kosovës për Akreditim. Nuk dihet, megjithatë, se çfarë versioni të doktoratës ka dorëzuar aty pak muaj më parë, ngaqë asnjëherë një gjë e tillë nuk është bërë publike. Kërkoj nga Rektori Qerimi që të detyroj të njëjtin të bëj publike versionin e doktoratës që e ka mbrojtur në Prishtinë, në mënyrë që të nis menjherë shpalosja e disa provave që dëshmojnë katërçipërisht se ai version është plagjiaturë e një tjetër libri dhe  disa shkrimeve të një autori me origjinë nga Durrësi/Tirana. Në momentin e publikimit në ueb faqe të UP “Hasan Prishtina” të doktoratës në fjalë, kërkoj nga Rektori Qerimi që të themeloj një komision të posaçëm për konstatimin e plagjiaturës së doktoratës së Prishtinës të z. Avni Puka.

Tregimi për mashtrimin e Avniut nuk përfundon as me kaq: në raportin për fitimin e thirrjes së fundit akademike, përkatësisht për fitimin e thirrjes “Prof.Asoc”,  ai ka vazhduar me mashtrimin e tij, duke thënë se doktorata e tij e mbrojtur në Fakultetin Juridik të UP “Hasan Prishtina” në Prishtinë gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Për këtë, ai ka paraqitur rrejshëm edhe një numër katalogimi. Njëjtë ka gënjyer se ka botuar një monografi, që në fakt mban titullin e doktoratës së tij si më sipër, gjithashtu duke paraqitur një numër fiktiv të katalogimit. Ju ftoj ta shihni raportin e vlerësimit të komisionit të Fakultetit Juridik të UP “Hasan Prishtina”, për avansimin e tij në thirrjen akademike në fjalë, bashkëlidhur me këtë email, si shtojca 04 (me tekstin shtesë), ku shihen këto mashtrime, të cilat i kam hijezuar me të verdhë. Pjesa dërrmuese e të dhënave që paraqiten në raportin e vlerësimit për fitimin e thijes së fundit që posedon z. Avni Puka, nuk përputhen me raportin zyrtar të Universitetit “La Sapienza” për ciklin 28 të studimeve të doktoratës, që Avniu thotë e ka mbaruar, si në aspektin kohor ashtu edhe në atë përmbajtësor (cf. shtojcën me shifrën me shifrën 03 me tekstin shtesë). Kjo përbën një dimension tjetër të qartë të involvimit të tij në përgjegjësi disiplinore, etike dhe penale për shkak të mashtrimit të hapur.

Ne që botojmë jashtë në vazhdimësi, e dimë dhe ndiejmë në lëkurën tonë, se për të botuar një punim shkencor në revista serioze na duhen së paku tre muaj pune të përkushtuar. Për një doktoratë, ndërkaq, në botën e jashtme kërkohen së paku tri vite intensive të jetës njerëzore, për ta përmbyllur me faqe të bardhë. Është tërësisht joetike, e shëmtuar dhe joligjore mbi të gjitha, marrja (fitimi) dhe mbajtja e titullit shkencor dhe titujve përkatës akademik mbi bazën e një gënjeshtre të thjeshtë, apo të një doktorate që me një probabilitetet shumë të lartë bazohet në plagjiaturë brutale. Është joligjore për faktin se, në UP “Hasan Prishtina” dhe në universitetet  e tjera publike në Kosovë dhe në rajon, me doktoratë bëhet themelimi i marrëdhënies së punës, pra merret pagë/rrogë. Paligjshmëria në rastin e z. Avni Puka është e dyfishtë: me mashtrim ka paraqitur se ka një doktoratë nga Universiteti “La Sapienza” në Itali, që kurrë nuk mund mund të dëshmoj se e ka bërë, dhe një doktoratë kryesisht të bazuar në plagjiaturë brutale.

I nderuari Rektor Qerimi,

Duke njohur autoritetin tuaj ligjor si dhe obligimet që keni, dëshiroj të përmbledhë në fund kërkesat e mia që i inicoj më këtë shkresë, duke kërkuar me respekt nga ju për sa vijon:

–  e para, formimin e një komisioni që verifikon zyrtarisht mashtrimin e z. Avni Puka lidhur me pretendimet e tij se gjoja ka doktoruar në Universitetin “La Sapienza” në Romë të Italisë;

–  e dyta, konfirmimin e fitimit të titujve akademik dhe përfitimeve të tjera, përfshirë ato menagjeriale, bazuar në këtë mashtrim;

–  e treta, detyrimin e z. Avni Puka për publikim të menjëhershëm në ueb faqe të UP “Hasan Prishtina” të doktoratës së mbrojtur në Fakultetin Juridik; 

–  e katërta, marrja e vendimit që thotë se, në secilën fazë ku shqyrtohet dhe vendoset për çështjen e mashtrimit të tij, i njëjti mos të merr pjesë në asnjë strukturë apo forum të tillë, përfshirë në cilësinë e dekanit të Fakultetit Juridik, anëtarit ex officio të Këshillit të Fakultetit dhe Senatit të UP “Hasan Prishtina”;

–  e pesta, ndërmarrja e masave disiplinore për një mashtrim të tillë, në përputhje me aktet juridike të UP “Hasan Prishtina” dhe Kodin e Etikës; dhe,

–  e gjashta, inicimi i procedurave ligjore për vepren penale të mashtrimit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Mbes në dispozicionin tuaj për çdo sqarim. Shpresoj shumë në veprimin e shpejtë e me përgjegjësi nga ana juaj, për të ndaluar këtë paudhësi që ka implikime serioze, në rend të parë juridiko-penale dhe më pas edhe disiplinore dhe etike.

I juaji sinqerisht !

Enveri

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy