Hulumtuesi në çështjet e sigurisë, Skender Perteshi, ka thënë se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dështuar ta ruajë kufirin me Serbinë.
Të hënën në “Interaktiv” të KTV-së, Perteshi ka thënë se edhe reagimi i KFOR-it pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit, ka qenë i pasinqertë.
Sipas tij, deklarimet e këtij misioni paqeruajtës pas ngjarjes, ishin sikur nuk ka ndodhur asgjë.
“Është një deklaratë e pasinqertë nga ana e KFOR-it për shkak të dështimit të tyre sepse realisht KFOR-i ka dështuar ta ruajë dhe ta kontrollojë kufirin në mandat, detyrë dhe përgjegjësi që i ka në bazë të rezolutës 1244 që e ushtron. Ka dështuar t’i parandalojë forcat serbe që janë futur në territorin e Kosovës, por po ashtu edhe vetë komunikimi që ka bërë me partnerët e tyre në Kosovë, si Policia e Kosovës, Ministria e Brendshme, Qeveria e Kosovës, mënyra e komunikimit ka qenë disi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Është publikuar dhe është reaguar në atë stilin që të ruhet stabiliteti. Përmbi 20 vjet KFOR-i, EULEX-i, UNMIK-u në pjesën veriore të Kosovës nuk kanë bërë asgjë përveç faktit për ta ruajtur stabilitetin e jo ta zhvillojnë demokracinë dhe të vendosin rend dhe ligj”, ka thënë ai.
Perteshi ka shtuar se Bashkimi Evropian, EULEX-i dhe KFOR-i kanë një qasje që nuk ofron alternativë serioze se si të zgjidhet problemi në veri të Kosovës.
“Qasja e BE-së, EULEX-it e po ashtu edhe KFOR-it është që nuk ofrohet alternativë serioze se si të zgjidhet problemi në veri të vendit, se si të luftohen grupet kriminale në atë pjesë, si të ofrohet siguri më e madhe për qytetarët atje. Në momentin që ka iniciativa prej Qeverisë, pengohen”, ka thënë ai.
Sipas tij, zgjidhja qëndron në tavolinën e bisedimeve, megjithatë thotë se nevojitet një strategji serioze edhe nga ana e KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës dhe koordinim sa më i mirë mes tyre.
“Kosovës nuk i mungojnë aftësitë profesionale apo edhe pajisjet që kanë potencial për t’i analizuar, identifikuar kriminelët dhe për t’i arrestuar, ky është më shumë problem politik sesa i sigurisë. Zgjidhja konkrete duhet të vijë prej një marrëveshjeje politike sepse politika e mbështet krimin atje”, ka shtuar ai.