Para paradës së së shtunës, autoritetet austriake arrestuan tre të rinj të radikalizuar përmes internetit – Në shtëpitë e tyre u gjetën armë.
Policia austriake pengoi një sulm përpara paradës së Krenarisë në Vjenë të shtunën. Lajmi u bë i ditur të dielën nga Omar Haijawi-Pirchner, kreu i Shërbimit Informativ Austriak. Në kuadër të operacionit antiterror, janë arrestuar tre simpatizant shumë të rinj të Shtetit Islamik, të moshës 14, 17 dhe 20 vjeç. Bëhet fjalë për shtetas austriakë me origjinë boshnjake dhe çeçene.
Arrestimi u bë mëngjesin e së shtunës pak para demonstratës së planifikuar në qendër të kryeqytetit austriak.
Të tre, të radikalizuarit nëpërmjet internetit, ishin tashmë të njohur për policinë në kuadër të luftës kundër terrorizmit islamik dhe ishin nën vëzhgim të ngushtë. Në shtëpitë e tyre janë sekuestruar “armë dhe materiale të tjera”.
Për mijëra njerëz që morën pjesë në paradën e Krenarisë, “në asnjë moment nuk kishte ndonjë rrezik konkret”, siguroi Haijawi-Pirchner.