Biden: Ballkani vazhdon të paraqesë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së

by informim

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, e ka vazhduar Urdhrin Ekzekutiv për emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor në përputhje me Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente për t’u marrë me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Ky urdhër ekzekutiv ishte nënshkruar fillimisht më 26 qershor 2001. Urdhri flet për kërcënimin e sigurisë së ShBA-së, e shkaktuar nga veprimet e personave që veprojnë duke penguar zbatimin Rezolutës 1244 të KS të OKB-së të datës 10 qershor 1999, në Kosovë, raporton Klankosova.tv.

banner

Urdhri përfshin edhe ata persona të përfshirë në, ose që ndihmojnë, sponsorizojnë ose mbështesin, dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë së Veriut (aso kohe Republika e Maqedonisë) dhe gjetkë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ose ndaj personave që veprojnë duke penguar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje.

Presidenti më pas e ndryshoi atë urdhër në Urdhrin Ekzekutiv të 28 majit 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me disa veprime që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë (ajo që tani është Republika e Maqedonia e Veriut).

“Më 8 qershor 2021, nënshkrova Urdhrin Ekzekutiv 14033, i cili zgjeroi fushën e emergjencës kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, të ndryshuar, duke konstatuar se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në Urdhrin Ekzekutiv të nënshkruar nga Bideni.

Presidenti amerikan, duke arsyetuar vazhdimin e Urdhrit Ekzekutiv për emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, tha se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, raporton Klankosova.tv.

“Për këtë arsye, urgjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, sipas të cilit u ndërmorën hapa shtesë në Urdhrin Ekzekutiv 13304, dhe që u zgjerua në urdhrin Ekzekutiv 14033, duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi pas datës 26 qershor 2023. Prandaj, në përputhje me nenin 202(d) të Aktit Kombëtar të Emergjencave (50 U.S.C. 1622(d)), po vazhdoj për 1 vit urgjencën kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, potencoi presidenti i ShBA-së, Joe Biden. 

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy