Emisari amerikan, Gabriel Escobar, u është përgjigjur zërave që thonë se SHBA-ja po tregohet e ashpër me Kosovën dhe e butë me Serbinë, për zhvillimet në veri. Escobar ka thënë se përgjatë tre muajve të fundit, por edhe 15 vjetëve të fundit, SHBA-ja ka vepruar gjithmonë në favor të Kosovës.
Escobar ka renditur disa prej ngjarjeve që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke treguar se amerikanët gjithmonë kanë vepruar në favor të Kosovës dhe kundër asaj që e ka kërkuar Serbia.
“Gjithcka që kemi bërë në 90 ditët e fundit, në fakt në 15 vjetët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës. Serbia nuk ka dashur ta njohim ne pavarësinë e saj, por ne e kemi bërë. Serbia nuk ka dashur që ne të bëjmë fushatë globale për njohjen e Kosovës, por ne e kemi bërë, edhe në këto 90 ditët e fundit. Serbia donte që ne t’i bëjmë presion Kosovës, që ta braktisë idenë e zgjedhjeve [në veri], por ne nuk e bëmë. Serbia donte që ne të themi se zgjedhjet do të ishin jolegjitime, për shkak të daljes së ulët, por ne nuk e bëmë”, ka thënë Escobar në një intervistë për “Atlantic Council”, transmeton Gazeta Express.
“Unë e sfidoj këdo që të më thotë se ku kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë me Serbinë. Ne e kemi shtyrë Serbinë që të lëvizë për cështjen e letërnjoftimeve, për barrikadat, edhe për Këshillin e Evropës”, ka thënë Escobar.
Emisari amerikan thotë se ajo çfarë po i kërkohet Kosovës është e kundërta e qasjes së ashpër.
“Ndërsa, cka po kërkojmë prej Kosovës është bashkërendim dhe njohja e obligimeve të saj ndërkombëtare. Nuk mendoj që kjo është të qenit të ashpër me Kosovën. Mendoj që është krejt e kundërta”, tha Escobar.
Kryeministri Albin Kurti i ka akuzuar ndërkombëtarët për qasje “jo fer” ndaj Kosovës, pasi ata dënuan futjen me forcë të kryetarëve të zgjedhur të komunave veriore në objektet komunale, në fund të majit. Pasi Kurti nuk pranoi kërkesat e tyre, SHBA-ja, më vonë edhe BE-ja, paralajmëruan sanksione.