Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë se është bërë shprehi e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti që çdo hap para të tijin ta përcjell me dy mbrapa.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, Haziri ka deklaruar se veprime të kësaj natyre ishin ato karshi dialogut Kosovë-Serbi.
“Kryeministri i Kosovës e ka bërë shprehi prej që është bërë kryeministër çdo hap para e përcjell me dy hapa mbrapa. Vendimet më të mëdha i ka pasur karshi dialogut dhe rreth tij, një hap para e ka përcjell me dy mbrapa”, ka thënë Haziri.
Haziri ka theksuar se takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel do të ndodhë sapo të zbutet pala e dytë, ajo serbe.
Tutje, i njëjti ka theksuar se në dialogun Kosovë-Serbi nuk ka pasur asnjëherë kushtëzime nga palët. Nëse ka pasur diçka të asaj natyre, sipas Hazirit, janë hedhur poshtë nga pala ndërkombëtare.
“Asnjëra palë, asnjëherë, sado që kanë vendosur formate të kushteve, në momentin që është lexuar dhe është parë si kusht, ka rënë. Së paku konsistencë kemi, parimi i dialogut dhe agjenda që është përcaktuar ka eliminuar kushtëzimin e palëve”, ka thënë Haziri.