Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka treguar se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i ka vizituar tre policët e rrëmbyer.
Ai tha se policët i kanë rrëfyer Jetishit momentin e rrëmbimit nga njësitë serbe.
“Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë. Përshkrimi i policëve është i njëjtë. Janë tri rrëfime të ndara identike, të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit më 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Pra kanë qenë duke ngrënë drekë kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer.
Kurti tha se kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që “dëshirojnë të jenë skeptikë”.
“Dëshmitë që posedojnë institucionet tona dhe dëshmia e tre policëve dëshmojnë qartë që ishin brenda territorit”.
Kurti tha se u ushtrua agresion nga Serbia “sepse po luftohet krimi i organizuar. Për këtë hakmarrje çnjerëzore kemi kërkuar denoncim të hapur nga të gjithë partnerët tonë”.