Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, deklaroi se kryeministri Albin Kurti nuk është futur në kurth nga askush në procesin e veriut, por tha se ai s’i ka pyetur ndërkombëtarët për çështjen e legjitimitetit të zgjedhjeve në veri.
Ai deklaroi të mërkurën në Konfrontin e KTV-së se duhet të dihet cili ka qenë qëllimi i futjes së kryetarëve të zgjedhur në objektet e komunave dhe se cili ka qenë qëllimi final.
“Nëse funksioni i kryetarit të komunës nuk mund të ushtrohet në një ambient që është armiqësor për arsye që dihen, cili është qëllimi final, qoftë edhe i sakrifikimit të njerëzve. Çka synohet, fitimi politik në dialog? S’e ka futur askush Kurtin në kurth, mbështetje ka pasur pa asnjë diskutim. Kur i kanë pyetu këta (ndërkombëtarët v.j.) për mbajtjen e zgjedhjeve, është parë një mbështetje sepse për Perëndimin ka një rol substancial në formimin e shtetit”, deklaroi ai.
Sipas profesorit universitar, institucionet e Kosovës i kanë pyetur ndërkombëtarët nëse duheshin të mbahen zgjedhjet në veri, por këtë s’e kanë bërë edhe për vendosjen e kryetarëve në komuna.
“E kemi vlerësimin e SHBA-së që flet se çështjen e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, me supozimin që situata nuk përshkallëzohet”, shtoi ai.