TIRANË- Koordinatori i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj analizoi veprimet politike në PD, dhe “lojërat” që po luhen me rikthimin e Lulzim Bashës. Ai tha se në një vend me politikë normale rikthimi i tij do të konsiderohej habi e madhe.
Sipas tij, Basha prej vitesh në krye të opozitës ka korrur një seri humbjesh përballë mazhorancës aktuale. Topollaj u shpreh se rikthimi i Bashës e zvogëlon dhe e tkurr më tej Partinë Demokratike.
“Në një vend normal. Në një politikë normale, kjo do ishte një habi e madhe. Basha e ka drejtuar opozitën e vendit prej vitesh, ka korrur pafund dështime dhe në një moment kur ne e kishim menduar se Basha e kishte mbyllur ciklin e tij, jo vetëm po na rikthehet, por po rikthehet në formë triumfale. Kjo nuk përbën çudi në politikën shqiptare. Kjo është të çojmë deri në fund një teatër dhe një problematikë të madhe që ka ndodhur brenda gjirit të forcës kryesore opozitare prej vitesh dhe për ta për shfaqur në formën më demonstrative të mundshëm. Problemi kryesor i opozitës ka pasur opozita, është pikërisht se nuk ka pasur synim të mund mazhorancën por ka mishëruar interesat personale. Basha nuk sjell asgjë, e zvogëlon edhe më shumë PD e vulës, sepse PD zyrtare do duhet të mblidhte ata njerëz që janë opozitare, që nuk votojnë Berishën dhe Metën.
Gjatë intervistës në “Special Report”, në ABC News, Topollaj shtoi se me rikthimi e Bashës përfitues i vetëm është Sali Berisha. Problemi kryesor i PD shtoi ai ndër vite ka qenë mospasja e strategjisë për të mundur partinë në pushtet.
“Favori i parë që merr Berisha është se bie presioni ndaj tij, Sot njerëzit që i kërkojnë atij të largohet janë më pak se ata që duhet të ishin, se nga ana tjetër po vjen një njeri që duhet të largohet dhe s’duhet ta mendojë kthimin. Duket qartazi se e kanë marrë peng opozitën. Problemi kryesor që ka pasur opozitarizimi në Shqipëri, është pikërisht se PD nuk ofronte model të ndryshëm të të bërit politikë nga qeverisja aktuale, por duke qenë si forca kryesore e opozitës ajo nuk e linte opozitën të çelte, ishte një gjë e kalbur, vetëm për të mos lënë pjesën e shëndetshme të opozitës për të çelur dhe për të mundur mazhorancën. Dy copat e PD janë të kalbura dhe ekzistojnë për të mbajtur liderët e tyre respektivë”, shtoi ai.