Serwer s’e përjashton që Kurti mund të shpallet non-grata nga Amerika: Ka pasur problem me vizë si opozitar

by informim

Profesori amerikan, Daniel Serwer, thotë se mbase fjala “ndëshkim” s’është e duhura për t’u përdorur nëse Kurti refuzon planin për de-eskalim, por thotë se është e qartë që SHBA dhe BE janë të përgatitura për t’i bërë presion. Njohësi i zhvillimeve politike thotë se Washingtonin dhe BE-në i ndanë vetëm “Ballkani i Hapur”, derisa s’ka përjashtuar mundësinë që Kurti të shpallet non-grata nga Amerika, duke përmendur vështirësinë për t’u pajisur me vizë amerikane sa ishte opozitar.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak bashkë me emisarin amerikan, Gabriel Escobar para disa ditësh kanë realizuar një vizitë të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për të bindur Kosovën dhe Serbinë për të de-eskaluar situatën në veri të vendit. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje që i kishte dhënë Gazetës Express kishte treguar se këto bisedime kishin qenë të vështira, sidomos me kryeministrin Albin Kurti.

banner

Të dy kishin paralajmëruar se për takimet në Kosovë dhe në Serbi do të raportojnë, njëri para 27 shteteve anëtare të BE dhe tjetri para Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht kësaj, Kurti s’ka lëvizur nga pozicioni i tij dhe propozimi tre pikësh i Josep Borell i nxjerr pas takimit me Vjosa Osmanin ka mbetur ende pezull.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, emisari i BE-së Miroslav Lajcak ka udhëtuar drejt Washingtonit me ftesë amerikane, ku edhe ka zhvilluar takime me nënsekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland. Pas këtij takimi Nuland ka shkruar se mbështesin propozimin tre pikësh të BE-së si rruga më e mirë për të ecur përpara.

Lidhur me këtë udhëtim të Miroslav Lajcak drejt Washingtonit në një kohë mjaftë delikate, Express ka biseduar me profesorin amerikan, Daniel Serwer, i cili ka marrë pjesë në një diskutim me Escobar dhe Lajcak në Atlantic Council. I pyetur nëse kjo ftesë e amerikanëve për Emisarin e BE’së mund të ketë qenë një thirrje për të diskutuar ndonjë ndryshim eventual që emisari sllovak duhet të bëjë në mënyrën se si ndërmjetëson dialogun, apo thjeshtë ftesë për koordinim të mëtejshëm lidhur me masat që mund t’i marrin për Kosovën dhe Serbinë, Serwer ka thënë se SHBA dhe BE kanë pajtueshmëri të plotë për gjithçka në proces, përveç nismës “Open Balkan”.

“Unë mendoj se ky udhëtim është më së shumti rreth koordinimit. E vetmja temë ku unë vërej dallime është Ballkani i Hapur. SHBA e përkrah, BE e kundërshton”, ka thënë Serwer 

I pyetur nëse beson që SHBA do ta ndëshkojë Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti nëse s’do të ketë lëvizje të pozicionit për propozimin tre pikësh të BE-së, për de-eskalim, Serwer ka thënë se nuk e di nëse fjala “ndëshkim” është e duhura, por thotë se është e qartë se SHBA-ja dhe BE-ja janë të përgatitura për t’i bërë presion Kosovës për de-eskalim.

Profesori amerikan Serwer në këtë intervistë për Express ka folur edhe lidhur me disa raportime në media, që s’kanë përjashtuar as mundësinë që kryeministri Kurti të shpallet non-grata nga SHBA-ja në rast se refuzimi për de-eskalim do të jetë i skajshëm.

Ai thotë se kjo është një ide e tmerrshme që do ta bëjë kryeministrin Albin Kurti edhe më të pabindur, por potencon se nuk e përjashton, meqë thotë se Kurti ka pasur probleme që të pajiset me vizë amerikane si opozitar.

“Është një ide e tmerrshme që do ta bëjë atë edhe më të pabindur, por nuk do ta përjashtoja. Kishte vështirësi për të marrë vizë për vite me radhë kur ishte në opozitë”, ka potencuar Serwer

Në fund, i pyetur nëse vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor mund të ketë lidhje edhe me situatën në veri të Kosovës, Serwer ka thënë se supozon që po, megjithatë thotë se për këtë duhet përgjigjur Qeveria Amerikane.

Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar që nga dita e premte e 26 majit, kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur t’i dërgonte kryetarët e zgjedhur në objektet e komunave në Veri nën përcjelljen e forcave policore. Një vendim të tillë SHBA-ja e kishte kundërshtuar plotësisht duke drejtuar gishtin kah kryeministri Albin Kurti për mos koordinim.

Më 29 maj, tensionet kishin arritur kulmin ku si rezultat e përplasjes mes KFOR-it dhe protestuesve, në mesin e të cilëve ka pasur edhe grupe kriminale, kanë mbetur të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Thirrjet ndërkombëtare dhe presioni ndaj Kosovës për të vendosur qetësinë në veri ka qenë i pandalshëm. SHBA ka bërë thirrje që kryetarët të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga objekte alternative, të largohen policia nga objektet komunave dhe të fillojnë angazhimet për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Propozimet e Washingtonit dhe Brukselit ende s’kanë marrë dritën jeshile nga kryeministri Albin Kurti, i cili tashmë si kusht për de-eskalim ka shtuar edhe lirimin e tre policëve të Kosovës që janë rrëmbyer nga Serbia.

Para pak ditësh, kryeministri Kurti kishte propozuar kushtet e tij për de-eskalim.

Pika e parë: Sundimi i ligjit në katër komunat në veri. Situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë por eskalimi më 29 maj e bënë urgjent sjelljen para drejtësisë të gjithë atyre që ushtuan dhunë ndaj policisë së Kosovës, KFOR-it dhe mediat.

Pika e dytë: Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës.

Pika e tretë: Policia e Kosovës dhe KFOR, apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë për të garantuar ambient të sigurt për të gjithë.

 Pika e katërt: Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpall zgjedhjet e reja në veri.

Pika e pestë: Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar të Brukselit. Udhëheqësit e dy shteteve takohen në nivel të lartë gjatë kësaj jave dhe Bashkimi Evropian të siguroj një plan renditje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy