Tragjedia ka ndodhur në selinë e Konecta, një kompani që ofron shërbime për kompanitë telefonike: një grua ka vdekur në vendin e punës, me kolegët që duhet të vazhdojnë t’u përgjigjen telefonatave. Kompania u përgjigjet sindikatave: “Askush nuk u detyrua, ata mund të ndryshonin vendet ose të shkonin në shtëpi”
Një kolege vdes në zyrë, e goditur nga një atak i papritur në zemër, dhe kolegëve në call center, iu desh të vazhdonin punën pranë trupit për dy orë. Ngjarja ka ndodhur më 13 qershor në selinë e kompanisë qendrore të thirrjeve Konecta BTO, në Madrid të Spanjës. Siç raportojnë mediat lokale, tragjedia ka ndodhur në katin e gjashtë të një pallati në lagjen Canillejas, ku ndodhen zyrat e kompanisë që ofron shërbime asistence për kompani të ndryshme telefonike si Iberdrola, Movistar, Vodafone dhe Inditex: rreth orës 13.00. një operatore e moshës së mesme, Inmaculada, u rrëzua në tryezën e saj, duke pësuar një atak fatal në zemër. Kolegët u përpoqën më kot për ta rianimuar, por kur mjekët mbërritën në vendngjarje nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse konstatonin vdekjen.
Sindikatat spanjolle UGT dhe USO denoncuan këtë aferë: “Punonjësit e shpëtimit nuk mundën të bënin asgjë. E mbuluan trupin me një çarçaf dhe u larguan”. Mediat iberike përcjellin raporte kontradiktore për orët pas vdekjes së punëtores. Kompania shpjegoi se u kishte dhënë punonjësve mundësinë të largoheshin: “Ata mund të ndryshonin pozicionin e tyre, të shkonin në shtëpi ose të qëndronin në vendin e tyre. Askujt nuk iu tha të qëndronte në vendin e tij dhe të vazhdonte t’u përgjigjej telefonatave, Askush nuk u detyrua vërtet. disa punonjës janë ende në punë inteligjente”.
Versioni i denoncuar nga sindikatat është i ndryshëm, bazuar në një shkëmbim mesazhesh mes kolegëve që ndodhi pak orë pas vdekjes së gruas. Punëtorët po pyesnin nëse duhej të largoheshin. “Ka vdekur një koleg, por thonë vazhdojnë të marrin telefonata”, i ka shkruar një nga punonjëset një kolegu tjetër. Për rreth dy orë punëtorët vazhduan me aktivitetet e tyre, pavarësisht pranisë së kufomës së mbështjellë me batanije.
Sindikatat kanë vënë gishtin edhe për mungesën e një protokolli që do të zbatohej në këtë lloj eventi. Kompania pas nje takimi me sindikatat ka siguruar se vdekja do të njihet si aksident në punë, me gjithçka që sjell për dëmshpërblim.