Asnjë banor serb i Zubin Potokut nuk është i punësuar në këtë komunë.
Kryetari Izmir Zeqiri në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se banorët serb frikësohen dhe rrjedhimisht sipas tij nuk guxojnë që të pranojnë detyra të tilla.
“Neve na duhen bashkëpunëtorë, e punëtorë nga komuniteti serb sepse shumica e banorëve këtu janë nga ky komunitet. Jemi të hapur në çdo rast që të kemi edhe profesionist serb në komunën e Zubin Potokut”, ka thënë Zeqiri.
Ai ka përshkruar edhe objektin në të cilin është duke punuar që nga pranimi i detyrës si kryetar komune.
“Objekti nuk i plotëson kushtet, takimet i mbajm në këtë zyre që është pak më e madhe. Edhe po përpiqemi se ne kemi nisur nga zero nuk kemi pasur një pranim dorëzim çfarë është dashur të bëhet mes kryetarëve, kemi nisur nga fillimi”, tha ai
Më tej ai ka shtuar se deri më tani kanë zhbllokuar buxhetin e komunës.
Janë bërë gati një muaj që kur kryetarët e 4 komunave me shumicë serbe kanë marr mandatet e tyre, e për të cilët është duke u protestuar nga banorët serb në Zveqan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili është duke punuar në një objekt tjetër afër komunës, ka thënë se objektet komunale i takojnë administratës shtetërore të Republikës së Kosovës.
Zeqiri ka thënë se kur është zgjedhur kryetar nuk e ka ditur që do të ballafaqohet me revolta të tilla.
“Objektet komunale i takojnë institucioneve të Kosovës e qytetarëve të saj. Objektet komunale po tentojnë t`i mbajnë ata persona të cilët nuk janë të njohur për institucionet e Kosovës. Mos të them shërbime të shtetit serb por mund të ketë edhe shërbime të shteteve të tjera siç po shfaqen përmes grupeve kriminale edhe ruse e të tjera. DMTH këto objekte po mbahen nga këto shërbime”, ka thënë Zeqiri.
Ai më tej shtoi se këto probleme po krijohen nga grupe që dëshirojnë ta pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.
“Serbia ka arrit me i instrumentalizu një pjesë të qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë. Një pjesë edhe i financon që të punojnë sipas direktivave të Serbisë dhe synimet i kanë me i marr objektet”, ka thënë kryetari i ri i komunës së Zubin Potokut.
Ndryshe po bëhen një muaj që kur banorët serb po protestojnë para objekteve komunale duke kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve shqiptar.
Përgjatë kësaj kohe, pati përleshje mes protestuesve dhe KFOR-it, por edhe gazetarët u sulmuan duke pësuar lëndime trupore.