Shtyhet gjykimi ndaj 29 të akuzuarve për pastrim parash dhe bixhoz të paligjshëm

by informim

Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, Lutfi Shala, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj 29 të akuzuarve për pastrim të parave dhe organizim të skemave piramidale e bixhozit të paligjshëm.Lidhur me mungesën e tij, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi njoftoi se i njëjti për shkaqe familjare nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë ndërsa të radhës janë të caktuara paraprakisht më 19 dhe 20 korrik.Të akuzuarit Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Ardian Kuqi, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj, Flakron Maqani, Naser Pervetica, Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Besim Bllaca, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku, Arber Hoti, Agron Limani, Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rifati, Idriz Jakupi, Istref Veliqi, Sabri Brahimi, Sami Baliu, Ramadan Nebija, Burim Makiqi dhe Bekim Kyqyku po përballen me akuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i parave”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe për veprën penale “Ndihma”.

banner

Sipas aktakuzës së PSKR-së, të ngritur më 27 tetor 2020, thuhet se të pandehurit duke vepruar veç e veç apo në bashkëkryerje, nga data e pacaktuar në vazhdimësi deri më 15 dhjetor 2017, duke vepruar me dashje dhe dijeni, gjithnjë me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë organizuar lojëra të fatit për të cilat nuk ka qenë e dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent. Aty thuhet se me rastin e kontrollimit nga ana e inspektoreve të ATK-së dhe pjesëtareve të PK-së/DHKO, në lokalet poshtëshënuara te të pandehurit janë gjetur dhe konfiskuar automate, për të cilat thuhet se nuk kanë pasur licencë nga organi kompetent apo kanë vepruar në kundërshtim me licencën e dhënë, apo nuk kane pasur leje nga komuna për ushtrimin e asaj veprimtarie.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj po akuzohen se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 9 qershor 2016, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Prishtinë, i akuzuari Safet Kyqyku duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit, iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e automateve të palicencuara të tipit “Kayot”, për të cilën veprimtari po ashtu nuk ka poseduar leje pune nga Komuna e Prishtinës.

Aty thuhet se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 8 tetor 2016, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Rahovec, i akuzuari duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e tri automateve, të cilat ishin të licencuara për lokacionin në Suharekë dhe atë tre aparateve të tipit “Kayot”, si dhe thuhet se nuk kanë pasur leje pune nga komuna.

Tutje, thuhet se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 10 shkurt 2017, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Mitrovicë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit, iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e tetë aparateve të tipit “Kayot” dhe “Admiral”, si dhe thuhet se nuk kanë pasur leje pune nga komuna.

Aty thuhet se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 10 shkurt 2017, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Mitrovicë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit, iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e tetë aparateve të tipit “Kayot” dhe “Admiral”, si dhe thuhet se nuk kanë pasur leje pune nga Komuna.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Safet Kyqyku dhe Armend Danqeli koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 10 shkurt 2017, në lokalin e lojërave te fatit “TipSport 365” që gjendet në Prizren, i cili lokal ishte i mbyllur nga ATK-ja, më 18 tetor 2016 të akuzuarit e kishin rihapur përsëri, të cilët duke vepruar në bashkëkryerje iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e 11 aparateve.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Armend Danqeli në kohë të papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 6 prill 2016, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Prizren, pas rihapjes ka vazhduar ushtrimin e lojërave të fatit edhe pse nuk plotësoheshin kushtet kërkuara për ushtrimin e lojërave të fatit automate, ndërkohë qe leja nga ATK është lëshuar vetëm për baste, ashtu që bashkë me të lartpërmendurit u kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e 10 automateve.

Tutje, thuhet se koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, të akuzuarit e lartcekur në lokalin e lojërave te fatit “TipSport 365”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e 12 aparateve.

Me këto veprime, të lartpërmendurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300, paragrafi 2 lidhur me nenin 82 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Aridian Kuqi duke vepruar me dashje dhe dijeni ka ndihmuar të pandehurin Armend Danqeli, pronar i biznesit “Euro Garne”, në kryejnë e veprës penale të përshkruar te diapozitivi i parë i kësaj aktakuze, ashtu skukrse edhe të pandehurin Safet Kyqyku si pronar në biznesin “TipSport365”. Aty thuhet se Kuqi iu ka ndihmuar atyre në sigurimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, të cilat biznese në këto pika ushtronin veprimtarin e lojërave të fatit në kundërsulmim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihma” nga neni 33, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300, paragrafi 2 dhe nenin 81, paragrafi 1, nën paragrafët 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5 të KPK-së.Tutje, sipas aktakuzës, të pandehurit Naser Pervetica si menaxherë të biznesit “Casino-Merkur” dhe Flakron Maqani si pronar në biznesin “Merkur-Kajot” që gjendet në Prishtinë, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e automatëve lojërave të fatit, të cilat ishin në kundërshtim me licencën e dhënë, si dhe thuhet në atë mënyrë që me rastin e kontrollimit nga ana inspektoreve i janë gjetur dhe konfiskuar këto automate. Për këtë veprimtari thuhet se nuk kishte poseduar as leje pune të lëshuar nga komuna.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Agron Limani, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku dhe Arbër Hoti, në lokalin e lojërave të fatit “Lumi Sport”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm te lojërave të fatit automate të tipit “Merkur”, si dhe nuk kanë poseduar leje nga komuna.

Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rafati, Idriz Jakupi, në lokalin e lojërave të fatit “Matriks”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit automate të tipit “Merkur”, si dhe nuk kanë poseduar leje nga komuna.

Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300 i KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit Sabri Brahimi dhe Istref Veliqi, në lokalin e lojërave të fatit “Game Plus”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit automate të tipit “Merkur”, si dhe nuk kanë poseduar leje nga komuna.

Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300 i KPRK-së.

Po ashtu, të akuzuarit Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Safet Kyqyku, Sami Baliu, Burim Bytyqi, Petrit Neziri, Armend Danqeli, Ramadan Nebija, Flakron Maqani, Burim Makiqi dhe Bekim Kyqyku akuzohen se nga koha e pa caktuar përmes llogarive të bizneseve të tyre apo llogarive personale, duke vepruar veç e veç, kanë bërë pastrimin e parave të fituara me veprën penale organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm duke ju mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përmes automatëve, monitorëve dhe pajisjeve të tjera kompjuterike.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 308 i KPRK-së dhe nenit 56 të Ligjit mbi Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit, lidhur me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy