Stoltenberg: Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme

by

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se situata aktuale në Kosovë është dëshmi se në këtë shtet është e rëndësishme prania e misionit paqeruajtës të aleancës, KFOR. Këto deklarata ai i bëri gjatë një takimi në selinë e NATO-s me presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviç.

“Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme. Ne do të jemi besnikë ndaj mandatit që kemi sipas rezolutës së OKB-së dhe kemi rritur praninë tonë në Kosovë si përgjigje ndaj rritjes së sfidave të sigurisë. Prania jonë është për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarëve në Kosovë. Në këtë drejtim, ne mbështesim edhe dialogun [midis Kosovës dhe Serbisë] dhe ftojmë palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të përshkallëzojnë situatën”, tha ai.

banner

Me qëllim që të shtensionojë situatën, BE-ja më 22 qershor do të mbajë takime në Bruksel me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Stoltenberg dhe Millatoviç kanë ftuar Kosovën dhe Serbinë që të ulin tensionet mes tyre dhe të përqendrohen në kalimin e kësaj situate përmes dialogut.

Stoltenberg tha se pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka shtuar praninë e saj dhe përmes misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, angazhohet për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë.

“I ftoj palët të ulin tensionet dhe të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është kyçe për qetësinë në Kosovë dhe për stabilitetin e gjithë rajonit”, tha shefi i NATO-s.
Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, tha se për shtetin e tij stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë dhe angazhimi i përbashkët i NATO-s dhe BE-së e forcon sigurinë e tërë rajonit.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Më 29 maj, serbët lokalë në Zveçan u përleshën me trupat e KFOR-it. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviç.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy