Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për ndalimin e kamionëve me mallra dhe targa serbe qysh më 15 qershor, në përgjigje të arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, më 14 qershor. Nga ajo ditë, dhjetëra kamionë mbeten të bllokuar në anën serbe të kufijve.
Besart Krasniqi, pronar i kompanisë për përpunimin e produkteve të drithërave “Amidoni Group”, me seli në Lipjan, tash e një javë, i ka të bllokuar 12 kamionë me grurë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, përkatësisht në vendkalimet Merdare dhe Jarinjë. Vlera e përgjithshme e grurit të bllokuar, sipas tij, arrin në rreth 96.000 euro. “Malli nuk mund të kthehet, sepse e ka kaluar Doganën e Serbisë dhe nuk mund ta kthejmë as në Hungari dhe as në Kroaci”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se kamionët e tij janë të ngarkuar me mall nga Serbia, Hungaria dhe Kroacia, por se të gjithë transportuesit kanë targa serbe. “Ata [zyrtarët serbë] nuk po i lejojnë [shoferët] të kthehen andej, këta tanët nuk po i lejojnë të hyjnë [në Kosovë]. Kështu që kemi mbetur duke pritur”, shton ai.
Zyrtarë të Doganës së Kosovës konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se asnjë kamion me mallra ose targa serbe nuk ka hyrë në territorin e Kosovës që nga vendosja e ndalesës. Zyrtarët e doganës nuk tregojnë se për sa kohë do të mbetet në fuqi ky vendim.
Shpejtim Kuqi, pronar i kompanisë për prodhimin e këpucëve “Solid” në Suharekë, ka po ashtu katër kamionë me lëndë të parë të bllokuar në kufi. “Asnjëri kamion nuk ka vlerë nën 80 mijë euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë. Kuqi tregon se lëndën e parë e ka të siguruar nga Portugalia, por thotë se transportuesit janë me targa serbe, meqë “kanë kosto më të lirë”. Ai shprehet i shqetësuar se mospranimi me kohë i lëndës së parë, e vonon produktin final për kompanitë e kontraktuara.
“Produktin final, në bazë të kontratës, duhet ta dërgoj në fund të muajit korrik në Itali. Unë me kohë jam mbrapa. Sipas planit, ky material është dashur të jetë në prodhim më 19 qershor. Nëse vonohet porosia, penalizohemi nga kompania blerëse”, thotë Kuqi.
Në bazë të një llogaritjeje të Aleancës Kosovare të Biznesit, vlera e mallrave që bizneset e Kosovës kanë të kontraktuara me kompanitë serbe apo të bllokuara në kufi, arrin vlerën e 30 milionë eurove. Duke folur në një konferencë për media më 21 qershor, kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, tha se bizneset janë të obliguara, madje, që të paguajnë interes për transportuesit e bllokuar në kufi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se Qeveria është dashur të konsultohet me bizneset, apo t’i paralajmërojë ato për ndalesën e mallrave nga Serbia, apo me transportues serbë.
“Në pamundësi për të hyrë në vendin tonë, [bizneseve] po u shkaktohen shumë shpenzime, për shkak të transportit ndërkombëtar që kanë të kontraktuar për të importuar prej Serbisë, ose për shkak të pagesave që i kanë bërë në kompanitë serbe”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës e cilësoi ndalesën si masë të sigurisë dhe jo ekonomike apo tregtare. (Burimi: Radio Europa e Lirë)