Kompanitë gjermane në rajon kanë vazhduar ta shprehin shqetësimin për tensionet e rritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryetarja e Komitetit për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Lindore, Cathrina Claas Muhlhauser ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë duke i parë me shqetësim të madh.
“Ky zhvillim pozitiv është në rrezik. Tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë po i shikojmë me shqetësim të madh. Po marrim gjithnjë e më shumë kërkesa të shqetësuara nga kompanitë gjermane që janë aktive në Kosovë dhe vendet fqinje. Sukseset e arritura dhe investimet e ardhshme në rajon janë në rrezik”.
Tutje ajo ka bërë thirrje që palët të hyjnë sërish në dialog konstruktiv.
“Së bashku me partnerët tanë rajonalë, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të hyjnë në një dialog konstruktiv për të mos rrezikuar pozicionimin e suksesshëm të rajonit si një vend investimi dhe integrimin e tij në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar. Kompanitë kanë nevojë për kushte kornizë paqësore dhe të besueshme për investime”, deklaroi ajo.
Nga Komiteti për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Lindore, është theksuar edhe mbështetja e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për shumë vjet.
“Ne jemi plotësisht të bindur se transformimi ekonomik dhe social i rajonit dhe integrimi i tij në tregun e përbashkët evropian mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë midis të gjitha vendeve. Komiteti për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Lindore dhe kompanitë e tij anëtare kanë qenë të përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces që nga fillimi për të promovuar angazhimin e industrisë gjermane në dialog me partnerët rajonalë”.
“Deri më sot, kompanitë gjermane kanë krijuar më shumë se 100,000 vende pune të kualifikuara në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Tregtia gjermane me gjashtë vendet është pothuajse trefishuar në dhjetë vitet e fundit dhe ka arritur në pothuajse 17 miliardë euro në 2022”.
Duke thënë se rritja e bashkëpunimit rajonal është “çelësi i zhvillimit pozitiv” ekonomik dhe integrimit të mëtejshëm të rajonit në tregun e brendshëm të BE-së.
Edhe më 15 qershor, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare kishte reaguar për situatën aktuale në Veri të Kosovës, duke thënë se janë të shqetësuar për kompanitë që mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë.
Përmes një komunikate për media nga kjo Odë është thënë se si përfaqësues të 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.