Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë akuzat nga Brukseli dhe Uashingtoni.
I pyetur nga gazetari gjerman për vërejtjet e diplomatëve perëndimorë se e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet: “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.
Më pas kryeministri shton se i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive “për të shmangur skenat triumfuese”. Por shton ai, “kryetarët e bashkisë duhet të shkojnë në zyrat e tyre – apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”.
Kurti për këtë gazetë ka zbuluar edhe për bisedat që i bën me presidentin e Serbisë gjatë takimeve në Bruksel.
“Kur e takoj zotin Vuçiq”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”.