Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se lirimi i tre policëve nuk mund të konsiderohet e mbyllur.
Haradinaj thotë se as presidenti serb as kryeministri i Kosovës nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre.
“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”, thotë ai.
Haradinaj ka shkruar tutje se “Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmim për veprimet e papërgjegjshme e kalkuluese politike të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë në Prishtinë, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë”.
“Lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane, prandaj gjithë falënderimi dhe mirënjohja jonë shkon për ta”.
Policët janë liruar me vendim të Gjykatës së Kralevës, të cilit ishin rrëmbyer më 14 qershor brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.
Arrestimi i tyre kishte nxitur reagime të shumta nga institucionet e Kosovës, të cilat edhe kishin kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tyre.
Policia derisa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.