Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në takim nga Sekretari për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.
Falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e sekretarit Cleverly, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha etapat e shtetformimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit.
“Në takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga zyra e kryeministrit.
Tutje, në njoftim thuhet se zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe situata në katër komunat në veri të vendit ishin po ashtu temë e këtij takimi.
“Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly me propozimin e tij për shtensionimin e situatës, duke theksuar se sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer”, vijon njoftimi.
Kryeministri Kurti po zhvillon një vizitë pune dyditore në Britani të Madhe. Ky ishte takimi i dytë i tij me sekretarin Cleverly. Takimi i parë ishte mbajtur në tetor të vitit të kaluar, po ashtu në Mbretëri të Bashkuar