Kërkesat e dy komunave veriore, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, për kyçje në sistem dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik në këto komuna, tashmë e kanë marrë një përgjigje nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Dy komunat e tjera, Zveçani dhe Zubin Potoku, ende s’i janë drejtuar këtij institucioni me kërkesë të tillë.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka thënë se u ka kthyer përgjigje Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe atij të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, lidhur me kërkesat e tyre për kyçje në sistem dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik në këto komuna.
Nga ky institucion i kanë thënë Gazetës Express se u kanë ofruar të dy kryetarëve sqarimet lidhur me kërkesat e tyre.
“Pas pranimit të kërkesave nga kryetaret e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zyra e Rregullatorit për Energji me datë 16 qershor 2023 ka kthyer përgjigje zyrtare duke ofruar sqarimet lidhur me çështjet e ngritura nga kryetaret e këtyre komunave.
Për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me furnizimin, kyçjen, etj, ZRRE ka udhëzuar kryetarët e komunave që të bëjnë kërkesë Operatorëve përkatës të Rrjetit varësisht nivelit të tensionit në të cilin furnizohen institucionet e sektorit publik që janë nën menaxhimin e këtyre komunave”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së.
Dy komunat e tjera, Zubin Potoku dhe Zveçani thonë se ende s’kanë bërë kërkesë të tillë.
“Deri më tani, ZRRE nuk ka pranuar ndonjë shkresë nga komuna Zubin Potokut dhe Zveçanit”, kanë deklaruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Gazeta Express ka pyetur edhe KOSTT’in nëse u ka kthyer përgjigje komunave, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’kanë kthyer përgjigje.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga këto institucione që t’i kyçin në sistem për të nisur pagesën e rrymës elektrike, në institucionet publike të komunës.
Në kërkesën drejtuar këtyre institucioneve, Atiq kishte kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt.
“Kërkoj prej jush që të filloni sa më parë të ndërmerrni veprimet e nevojshme për kyçjen e të gjitha këtyre institucioneve, në mënyrë që komuna të mund të fillojë pagesën e energjisë së konsumuar”, thuhet në kërkesën e Atiq.
Ata kanë kërkuar nga autoritetet që t’i njoftojnë edhe për borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar.
“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRRE për të kyçur institucionet tona publike komunale në mënyrë që të fillojë pagesa e rregullt e energjisë elektike. Po ashtu autoritet duhet të na njoftojnë me borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar në mënyrë që t’i shlyejmë ato detyrime”, kishte shkruar Hetemi.
Ndryshe, për 18 vjet me radhë, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit.
Vlera e rrymës së shpenzuar gjatë vitit 2022 në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, është mbi 63 milionë euro.
Në vitin 2021, kjo vlerë ka qenë rreth 42 milionë euro, e sipas një kalkulim të Institutit GAP rezulton se në periudhën 2010-2020, qytetarët në veri kanë shpenzuar mbi 132 milionë euro energji elektrike.
Shpenzimet janë paguar deri në vitin 2017 nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës e pastaj nga KOSTT dhe Qeveria e Kosovës.
Refuzimi për të paguar rrymën ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme në veri, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta
Nga viti 2017 e këndej, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.
Më 18 prill, Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e ZRRE’së që të rishshyrtohet aktgjykimi i Apelit, duke thënë se konsumatorëve duhet t’u rikthehen mjetet.
Se kur dhe si do të bëhet kjo, nuk ka ende asnjë informatë zyrtare.