Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi, në studion e “News24” foli për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ndërsa sot bëhen 79 vite nga gjenocidi grek.
Gjatë bisedës në studio, kreu i PDIU theksoi se janë shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare për çamët, gjithashtu shtoi se në seancën e sotme plenare në Kuvend kërkuan të respektohej kujtimi i 27 qershorit, por kjo nuk ndodhi.
Më tej ai theksoi se për çështjen Çame është i domosdoshëm një kohezion i brendshëm.
“27 qershori është dita e njohur në kalendarin kombëtar si dita e gjenocidit mbi shqiptarëve të Çamërisë dhe si është bërë çdo vit, në fund të seancës pas fjalës së kryetarit të parlamentit të Austrisë, kryetari i grupit kërkoi fjalën dhe njoftoi krye-parlamentaren që ne do të kërkonin që ti jepnin mundësinë parlamentarëve shqiptarë që të respektonin kujtimin e 27 qershorit, por në mënyrë të çuditshme kryetarja e parlamentin nuk u kthye më pasi përcolli kryetarin e Parlamentit të Austrisë. Unë kam katër mandate deputet dhe është hera e parë seanca as nuk u mbyll këtë herë”, tha ai duke shtuar: “Vazhdojmë të kemi peshën e padrejtësisë së madhe historike që ka dhënë efekte për Çamërinë. Vazhdon ende të ndjehet diskriminimi që bëhet edhe në kufi”, tha ai.
I ndalur tek rasti i Fredi Belerit, u shpreh se ishte njeriu i duhur për të kandiduar.
“Ky njeriu thotë që shqiptarët kanë ardhur nga Kaukazi, shqiptarët e dinë nga kanë ardhur, ky nuk e di se nga ka ardhur. Ka djegur flamurin shqiptar. Beleri shkollimin më të mirë e ka për hidraulik, është i dënuar dhe i akuzuar për masakrën e Peshkëpisë. Tani pas 10 vitesh synonin të na kthenin tensione në Himarë. Aktet që bën Greqia ndaj nesh, na afron apo largon? Pra që të afrohesh me dikë duhet të ulesh në tavolinë. Nëse doni të shihni vullnetin e shqiptarëve të Çamerisë e keni në bashkinë e Konispolit, e keni fare mirë shembullin”