Giovanni Galeone që e ndihmoi Max Allegrin të bëhej trajner me famë, ka folur për timonierin e Juventusit, ofertën nga Arabia Saudite dhe shitjet që do t’i bëjë klubi në këtë verë.
Allegri është nën kontratë me Juventusin deri në qershor 2025, por mori një ofertë të madhe nga Arabia Saudite në fillim të këtij muaji. Megjithatë, ai nuk u tundua të largohej nga Torino, siç konfirmoi mentori i tij Galeone.
“Kushdo që shkon atje [në Arabinë Saudite] e bën për para. Për mua, Allegri dëshiron të jetë konkurrues me Juventusin menjëherë dhe nëse vendos të përfundojë karrierën e tij, ai do të shkojë në Arabinë Saudite. Shumë i pranojnë këto para dhe të refuzosh disa propozime është e vështirë”, ka thënë Galeone fillimisht.
Galeone tregoi se Allegri ka bërë presion për zgjatjen e kontratës së Adrien Rabiot, ndërsa shtoi se dy yje do të shiten në këtë afat kalimtar.
“Ai (Rabiot) tregoi cilësitë e tij sezonin e kaluar. Nëse Juventusi nënshkruan gjithashtu me Sergej Milinkovic-Savic, ata do të kenë një mesfushë fantastike”.
“Unë mendoj se Juventusi duhet të shesë dikë dhe mendoj se Chiesa dhe Vlahovic do të shkojnë. Shikoni Milanin, Napolin dhe Interin, ata nuk nënshkruajnë me askënd nëse nuk shesin më parë. Nuk është e lehtë të gjesh një qendërsulmues për momentin. Milik mund të jetë një rezervë e fortë, por Juve ke nevojë për dikë që mund të shënojë 20 gola përndryshe nuk mund të bësh asgjë”, deklaroi Galeone.