Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po i prezanton kërkesat e Serbisë si të sajat.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Kusari-Lila ka thënë se nga kërkesa për tërheqje të kryetarëve nga objektet komunale, deri te mbajtja e zgjedhjeve janë kërkesa që i ka shtruar Serbia.
“Problemi ka filluar dhe është betonuar në momentin kur këto javëve të fundit bashkësia ndërkombëtare ka filluar t’i artikulojë dhe t’i prezantojë kërkesat e Serbisë si të vetat. Te tërheqja e kryetarëve, tërheqja e Policisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Kemi ardhur në këtë pikë sepse procesi zgjedhor është shtyrë një herë në një proces katërmujor. Pastaj është shtyrë certifikimi i zgjedhjeve. Kemi ardhur në një pikë që ne duhet ta kemi një garanci që kemi shanse t’i kthehemi normalitetit me këta qytetarë të Republikës sonë”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila më tej ka shtuar se shpallja e organizatave terroriste është hap drejt asaj që duhet parandaluar bllokimin e mëtutjeshëm të komunitetit për të marrë vendime të lira.