Kryeministri Albin Kurti ka komentuar masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Ai tha se Komisioni Evropian ka përgatitur një listë me masa kundër Kosovës, e që dje e ka prezantuar para Parlamentit Evropian. Në mbledhjen e sotme të Qeverise së Kosovës, Kurti deklaroi BE-ja tek Kosova e gjen partnerin më të sinqertë e të qëndrueshëm,
“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. BE te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropianeve, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate,. Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin. Së pari popullin e pastaj Qeverinë”, deklaroi ai.
Kryeministri theksoi se asnjëherë nuk kanë qenë të hidhëruar me BE-në, teksa shprehu se ka besim tek BE-ja.
“Në raste kemi qenë kritik ndaj BE-së por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar. Nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar e dorëzuam aplikimin tonë për pranim, atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni sepse besojmë në këtë union. Të njëjtin besim e kemi edhe sot”, ka thënë ai.
E në raportin e fundit Kurti tha se BE-ja e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë.
“Raporti i fundit për vendin tonë i hartuar nga KE e përshkruan dhe e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë. Si në luftën kundër korrupsionit, si në demokratizimin, zhvillim ekonomik ashtu edhe në avancim të kornizës ligjore. Aty e gjejmë hijen e vërtet të BE-së si organizëm mbi kombëtar, i drejtë dhe meritokratë dhe pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne e vlerësojmë përkrahjen e ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim. Sepse Evropa është kontinenti ynë e BE-ja fati ynë”, tha kryeministri.