Analisti Rrahman Paçarizi tha se u vërejt një dëshpërim i theksuar në paraqitjen e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, në Rubikon.
“Pashë një ambasador amerikan qysh nuk e kam parë asnjëherë. Goxha i dëshpëruar në fakt sepse në një moment tha: jemi të habitur, të shqetësuar që nuk ka përgjigje pozitive nga Kosova dhe që duket që nuk do të ketë”, ka thënë Pacarizi në Rubikon të Klan Kosovës.
“Kur ambasadori e thotë këtë, dhe tash vijmë te ai momenti kur z. Hovenier e ndan adresimin në dy drejtime: shfaqja e shqetësimit, e habisë, e konfuzionit, e dëshpërimit që nuk do të ketë një përgjigje pozitive nga Kosova, sado që e theksonte mbështetjen, e rikonfirmoi aleancën, e rikonfirmoi miqësinë”.
Sipas Paçarizit, ndonëse ka pasur një valë pakënaqësisë të një pjese të opinionit në Kosovë në raport me politikat aktuale të ShBA-së ndaj Kosovës, prapë ambasadori u mundua ta nxjerrë me fytyrë Kosovën.
“Në anën tjetër e tha këtë që Amerika është mike e Kosovës, është aleate e Kosovës. Është e çuditshme qysh në Kosovë ka njerëz të cilët nuk janë mirënjohës për rolin 20-vjeçar të ShBA-së në Kosovë”.
“Megjithatë tha që ‘nuk mendoj që në Kosovë nuk ka mirënjohje për këtë rol të Amerikës. Pra, ambasadori amerikan edhe njëherë po mundohet me na nxjerrë me fytyrë”.