Nenad Rashiq, është ministri i vetëm në Qeverinë e Kosovës që ka votuar kundër shpalljes të së ashtuquajturave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, si organizata terroriste.
Rashiq i cili është ministër për Kthim dhe Komunitete, tha se duhet kuptuar se në vend që të gjendet një mënyrë e komunikimit dhe lidhje të mirë me qytetarë, këto komunikime çdo ditë po ndërpriten.
Sipas tij, është më komplekse dhe më e vështirë të gjendet një bashkëbisedues në veri të vendit.
“Ne nuk japim alternativa në zgjatjen/vazhdimin e proceseve normale, por shpesh po e shfaqim vetëm shkopin”, tha Rashiq në fjalën e tij.
Ai theksoi se duke i shpallur këto grupe si organizata terroriste, nuk është duke parë ndonjë mënyrë se si Qeveria do të mund të ishte e afërt dhe t’i bind qytetarët se ajo që po bën është në të mirë të tyre.
Madje, ministri Rashiq tha se sovraniteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë i diskutueshëm as për të dhe as për shumicën e qytetarëve në veri të vendit.
Por, ai kërkoi që të kuptohet një gjë. “Në veri ekziston vakuumi që 23 apo 24 vjet. Me hapa të vegjël, por të sigurt, duhet ta shikojmë edhe një herë këtë propozim”, tha ai, para se të votohej nga kabineti qeveritar që këto dy organizata të shpallen terroriste.
Ai theksoi se pavarësisht se shumica nga ta janë të zhgënjyer e mohuar dhe madje edhe të manipuluar, “prapëseprapë janë qytetarët tanë”.
Rashiq u shpreh se ata nuk janë fajtorët kryesorë, pse nuk kanë informata të mjaftueshme.
“Dikush tjetër menaxhon me ta që një kohë të gjatë”, tha ministri Rashiq.
Paraprakisht, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, ka përmendur veprimet e ndërmarra nga këto grupe, si sulmet ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve të tjerë, veprime të cilat i ka konsideruar kërcënim për rendin juridik e kushtetues të vendit.