Është arrestuar polici që qëlloi 17-vjeçarin. Ndërkohë vazhdojnë përplasjet në të gjithë vendin (dhe më gjerë)
Është arrestuar polici që qëlloi dhe vrau Nahelin, 17-vjeçarin që nuk ishte ndalur në stacionin në Nanterre të Francës. Oficeri akuzohet për vrasje me dashje.
“Prokuroria beson se kushtet ligjore për përdorimin e armës nuk janë plotësuar”, tha prokurori i Nanterre, Pascal Prache në një konferencë për shtyp.
Avokati i policit Laurent Franck-Lienard tha se klienti i tij “është i shkatërruar” dhe kërkon “faljen” e 17-vjeçarit për familjen. “Sonte klienti im shkoi në burg pasi kishte qëlluar me armën që i ishte dorëzuar nga shteti për të garantuar sigurinë e tij dhe të bashkëqytetarëve të tij”, shkroi Franck Liénard në Facebook. Kam jetuar një ditë të tmerrshme dhe historike, në karrierën time 31-vjeçare në mbrojtjen e rasteve të armëve, nuk kam pasur kurrë një klient të shkojë në burg menjëherë pasi ka qëndruar para një gjyqtari. Do ta kontestojmë dhe do ta luftojmë vendimin, me të gjitha mjetet e ligjit”.
“Nuk e kam me policinë, e kam me një person: ai që i mori jetën djalit tim – tha Mounia M., nëna e Nahelit, – Nuk duhej të më vriste djalin, kishte mënyra të tjera për të vepruar. Një plumb? Kaq afër gjoksit të tij? Jo, nuk mund ta besoj. Ka mënyra të tjera për ta nxjerrë atë nga makina. Të vrasësh fëmijë kështu… edhe sa më gjatë?” Sipas gruas, agjenti “pa një fytyrë arabe, atë të një djali të vogël dhe donte t’i merrte jetën”.

Ndërkohë, e gjithë Franca është djegur për natën e tretë të trazirave: 667 persona janë arrestuar. Presidenti francez Emmanuel Macron ka thirrur një mbledhje të re të njësisë ndërministrore të krizës për sot në orën 13:00.
Tensionet kanë nisur gjatë “marshimit të bardhë”, të kërkuar nga nëna e të riut në kujtim të tij, kur kortezhi mbërriti para gjykatës së qytetit dhe policia përdori gaz lotsjellës. Sipas raporteve të Bfmtv, e cila citoi burime nga autoritetet e policisë së Parisit, 6200 njerëz morën pjesë në marshim. Sipas Prefekturës mes tyre janë “1000 ngatërrestarë”.
Forcat speciale franceze (Gign Rapid Intervention Group dhe njësia elitare Raid e Policisë Kombëtare) dhe Brigada e Kërkimit dhe Ndërhyrjes BRI dolën në terren. Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin tha se 40,000 policë ishin vendosur në të gjithë Francën, 5,000 vetëm në Paris.
Në Marsejë u zhvilluan përleshje mes demonstruesve dhe policisë në Portin e Vjetër, i cili më pas u evakuua. Tension gjithashtu në Lyon, ku një ndërtesë iu dogj zjarri në distriktin Villeurbanne më 28 qershor: u dërgua një helikopter nga RAID, njësitë speciale kundër trazirave.

Jo vetëm Franca. Përleshje ka pasur edhe në Bruksel të Belgjikës ku sipas Skytg24 janë arrestuar 15 persona dhe i është djegur një makinë.
Ndërkohë shërbimet franceze japin alarmin. Në një deklaratë, të cituar nga një burim policor, ata deklarojnë se “netët në vijim do të jenë skena e dhunës urbane me tendencë përhapjeje” dhe me “veprime të synuara ndaj forcave të rendit dhe simboleve të shtetit apo pushtetit publik”. .
Në disa bashki është vendosur ora policore. Në Clamart, në departamentin Hauts-de-Seine, në brendësi të Parisit, ora policore do të jetë në fuqi nga 29 qershori deri më 3 korrik nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit, nga kjo mbrëmje e 29 qershorit deri të hënën më 3 korrik. “Për shkak të dhunës së ushtruar mbrëmë dhe përballë rrezikut të shqetësimeve të reja në rendin publik, komuna e Clamart miraton një urdhëresë për vendosjen e një shtetrrethimi nga ora 21:00 deri në orën 06:00, nga sot 29 qershor deri të hënën 3 korrik”, shkruante bashkia në profilin e saj.

Shoqata e kryetarëve të bashkive të Francës (AMF) ka shprehur “mbështetje për bashkitë dhe banorët e përballur me dhunën dhe bën thirrje për rregull dhe qetësi”.
Në komunën e Compiègne, shtetrrethimi do të jetë aktiv nga 29 qershori deri të hënën 3 korrik nga ora 22:00 deri në 6 të mëngjesit, por është i kufizuar për të miturit e pashoqëruar nën moshën 16 vjeç.
Duket se gjendja e jashtëzakonshme nuk do të dekretohet. Sipas ANSA, disa burime të qeverisë franceze i thanë FrancePresse se gjendja e jashtëzakonshme “nuk është ndër opsionet që po shqyrtohen aktualisht” nga autoritetet.