Një prej gazetave më të vjetra në botë, Wiener Zeitung, me bazë në Vjenë, ka ndërprerë botimin të premten pas më shumë se tre shekujsh.
Së pari e botuar me emrin “Wiennerisches Diarium”, gazeta nisi të jepte lajmet me më maturi “pa ndonjë shkëlqim oratorik apo poetik” kur filloi më 8 gusht 1703, shkroi AP.
“320 vjet, 12 presidentë, 10 perandorë, 2 republika, 1 gazetë”, u shkrua në faqen e parë të numrit të fundit të gazetës.
Gazeta, që konsiderohet publikim cilësor, me një numër të gjerë artikujsh që mbulojnë lajme të brendshme dhe të jashtme, kulturë dhe biznes, u detyrua të pushojë 63 punëtorë dhe ta reduktonte stafin redaktorial.
Do të vazhdojë të operojë online dhe planifikon botim mujor.