Anëtari i LDK, Visar Azemi, ka reaguar pasi BE ka konfirmuar sanskionet ndaj Kosovës.
Azemi thotë se edhe pse Qeveria është njoftuar më 28 qershor, ekzekutivi s’e ka thënë as edhe një fjalë për një ndëshkim të rëndë, shkruan Express.
Ai thotë se Kurti po e le Kosovën pa fonde dhe pa takime të nivelit të lartë. Azemi thotë se aventurat e Kurtit duhet të marrin fund dhe se Qeveria e Kurtit nuk i duhet Kosovës.
Reagimi i plotë:
Bashkimi Evropian sot e konfirmoi se kanë hyrë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës. U bë e ditur po ashtu se Qeveria është njoftuar me 28 qershor, pra tash e tre ditë. Asnjë fjalë të vetme nga e mërkura prej këtij ekzekutivi jotransparent s’e dëgjuam, kur edhe u njoftuan për këtë ndëshkim kaq të rëndë për shtetin tonë në rrugëtimin e tij evropian.
Me kokëfortësinë e tij dhe veprimet e njëanshme, ky pushtet po e lë Kosovën pa fondet dhe projektet e BE-së. Nga veprimet e pamatura të Kurtit po pezullohet MSA-ja. Dhe atij dhe zyrtarëve të lartë të shteti po iu mbyllen dyert për takime të nivelit të lartë e vizita.
Krejt këto për disa lojëra të një axhamie politik. Për disa manovra të një tufe praktikantësh. Të këtyre që më së paku gurë kanë vendosur në themelet e shtetit, e sot po e rrëzikojnë atë. Në emër të sovranitetit dhe integritetit territorial, ndërkohë që i zbehën të dyja, e për më keq e përdhosën imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht.
Aventurat e mëtejme të Kurtit duhet të marrin fund. Ai dhe kjo qeveri nuk i duhen më Kosovës. Madje, largimi i tyre është bërë domosdoshmëri. Për të mirën e shtetit. Për të ardhmen e Kosovës.