Spanja i drejtohet Shqipërisë pas kërkesës për zemrën e të riut shqiptar Saimir Sula, i cili humbi jetën në një spital spanjoll pasi u shtrua për Covid-19 dhe trupi i tij u tërhoq nga familjarët por mungonte zemra.
Spanja i ka dërguar një kërkesë Shqipërisë ku kërkon informacion për mënyrën si do të tërheqë organin.
Familja e të ndjerit ka kërkuar prej 3 vitesh të vërtetën për vdekjen e të riut si dhe marrjen e zemrës së tij.
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020 rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. I riu shqiptar Saimir Sula ka hyrë në Spitalin del Mar (Barcelonë) i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test Covid, i cili doli negativ. Ata e futën brenda, ndërsa motra e tij qëndronte jashtë në pritje të rezultateve. Tetëmbëdhjetë orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t’i thënë se vëllai i saj kishte vdekur.