Banesat kolektive të premtuara nga Qeveria Kurti po tentohet të ndërtohen me marrje të kredive e jo nga buxheti shtetit. Opozita ka kritika për pushtetin se këtë premtim e dha vetëm sa për ngritje të elektoratit gjatë zgjedhjeve.
Disa fjalë të kryeministrit Albin Kurti për këtë iniciativë janë dëgjuar vetëm në fushatë.
E deri me tani kanë mbetur vetëm fjalë e asgjë më shumë.
Kjo pasi që edhe kur kanë kaluar dy vjet të mandatit të kësaj qeverie për realizimin e ndërtimit të banesave kolektive për banim social dhe të përballueshëm për çifte të reja, nuk është marr ndonjë veprim konkret.
Por e reja në gjithë këtë plan është që kjo po tentohet të bëhet ndërmjet marrjes së kredive.
Detaje dha zv.ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani.
“Nuk do të jenë ekskluzivisht të financuara nga buxheti i Kosovës por siç e bëmë edhe me Bankën e Këshillit të Evropës pra të gjejmë mjete financiare apo burime financiare që do të mundësojnë edhe të ndihmojnë qytetarin por edhe mos të ngarkohet shumë buxheti”, ka thënë Avni Zogiani.
Shpresa se kjo punë do të nis brenda këtij mandati qeveritar nuk ka deputeti i PDK-së, Isak Shabani.
“Ky banim i është premtuar së paku 4 mijë personave, është kërkuar të sigurohen lokacionet e në bazë të disa informatave që kam disa komuna kanë siguruar ato mirëpo ende s’ka filluar asgjë. Tash është vera, pritet edhe tre muaj të pushojë Kuvendi e në bazë të asaj që po shihet viti tjetër do të jetë vit zgjedhor i rregullt, nëse nuk bëhet edhe më herët kështu që po mbetët vetëm premtim, ka thënë Isak Shabani – PDK.
Ndërsa nga LDK-ja po thonë se Qeveria Kurti veçse ja ka vështirësuar jetën qytetarëve.
“Ju e keni parë që deri tash asnjë premtim pothuajse që nga koha që kanë fituar zgjedhjet nuk e kanë mbajtur, ndërsa përveç që nuk kanë bërë asgjë për këto banime e kanë shtrenjtuar edhe tatimin në pronë që është shumë shqetësuese për qytetarët e vendit tonë sepse kryeministri më nuk po merret me qytetarët por vetëm me pjesën veriore”, ka thënë Rrezarta Krasniqi – LDK.
Projektligji për banim social dhe të përballueshëm aktualisht është në diskutim publik.