Deçiq reagon pasi Lista Serbe kërkoi shpalljen e njësive speciale të PK-së “organizatë terroriste”

by informim

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vlerësuar se apeli i sotëm i Listës Serbe drejtuar Qeverisë së Serbisë për shpalljen e forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës si organizatë terroriste është një mesazh politik që kërkon reagim nga shteti i Serbisë.

Daçiqi tha për televizionin B92 se “struktura” aktuale e politikanëve në Prishtinë “ka rrjedhë nga organizata terroriste UÇK” dhe shtoi se “ajo linjë ka qenë e pranishme në Kosovë për shumë vite”.

banner

“Edhe qeveria amerikane i kishte në listën e organizatave terroriste që në fund të paraqiteshin si ‘ushtria çlirimtare’, pas vitit 2000 ata bënë transformime të ndryshme të UÇK-së, edhe pse sipas Rezolutës 1244 ka obligim që të shpërbëhen të gjitha formacionet e armatosura”, tha Daçiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Ai ka vlerësuar se qëllimi i Prishtinës është që organizata të caktuara nga veriu i Kosovës t’i shpallë terroriste, “për të shkaktuar frikë dhe shpërngulje të serbëve nga ajo zonë”.

“Kjo hap gjuetinë për serbët, ata mund të shpallin terroristë të gjithë njerëzit tanë në veri të Kosovës”, tha Daçiqi.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se në veri janë identifikuar 45 persona të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, Daçiqi pyeti nëse Beogradi duhet të publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve nga Kosova, por edhe nga Bujanoci dhe Presheva, të cilët, sipas tij, kanë vite që demonstrojnë kundër Serbisë.

“A është kjo rruga drejt normalizimit? Mendoj se serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike”, tha ministri serb.

Kujtojmë se Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka kërkuar nga Qeveria në Beograd që të shpallë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre si organizata terroriste “pasi kërcënojnë paqen në veriun e Kosovës”.

Në një letër, të cilën ky subjekt e ndau me mediat, thuhet se populli serb “po vuan nga terrori dhe represioni i regjimit antiserb të Albin Kurtit, prej dy vitesh”.

“Ne thellësisht besojmë se ky vendim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë, do të parandalonte aktivitetet e mëtejme të paligjshme të këtyre formacioneve për të kërcënuar paqen në veri. Po ashtu, do të krijonte bazë ligjore për veprimet e të gjitha autoriteteve shtetërore kundër këtyre organizatave që t’i sjellin ato para drejtësisë”, thuhet në letrën e Listës Serbe dërguar Qeverisë në Beograd.

Kërkesa e Listës Serbe vjen disa ditë pasi Qeveria e Kosovës shpalli si organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe komponentin e saj “Brigadën e Veriut”, grupe këto të serbëve që veprojnë në veri të vendit.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy