Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Drilon Gashi ka thënë se situata në veri të Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë.
Sipas tij kjo duhet të bëhet edhe nëse zgjidhja nuk është domosdo më e përkryera për Kosovën.
Ai në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se plani trepikësh i BE-së duhet të pranohet, përkundër që mund të mos jetë më i miri për Kosovën.
“Ne mund ta shohim para vetes planin trepikësh, mund të themi ky nuk është më i miri, fajëson më shumë Kosovën, kërkon më shumë nga Kosova, nuk kërkon mjaftueshëm nga Serbia, dhe pajtohemi të gjithë për atë, por duhet ta kuptojmë të gjithë që ai është mënyra për të dalë nga situata dhe dalja nga situata do t’i sjellë Kosovës mbështetje më shumë, në afatshkurtër dhe afatmesëm”, ka theksuar ai.
Gashi ka thënë se edhe deklarata që e bëri ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, se nuk do të donte të shihte kurrë diçka të tillë në veri, dëshmon se çështja në veri duhet të zgjidhet sa më parë.
“Kjo është edhe një thirrje, shumë domethënëse, nga një ndër miqtë më të mëdhenj, që janë gjallë, të Kosovës që çështja në veri të vendit duhet të zgjidhet sa më parë dhe tash jemi në momentin kur zgjidhja nuk duhet doemos të jetë e përkryera, nuk duhet të ketë doemos të gjitha elementet të cilat mund të mendojmë që janë të drejta apo që i takojnë Kosovës, por duhet të gjendet një zgjidhje që të rikthejë besimin se Kosova e kupton qartë se me SHBA-në por edhe me BE-në do të punojë drejt progresit në politikën e jashtme”, ka theksuar Gashi.
Ai ka thënë se brenga kryesore që kanë ndërkombëtarët është mundësia e shpërthimit të një konflikti në veri.
Sipas Gashit për këtë arsye vjen edhe qortimi ndaj palës kosovare, pasi vlerësohet se Kosova e ka në dorë gjendjen e sigurisë në veri.
Ai ka deklaruar se situata aktuale është shumë serioze. Gashi ka përmendur në këtë rast sanksionet që i janë vendosur Kosovës nga ana e BE-së dhe ka thënë se është mirë që aktualisht nuk ka ndonjë masë eksplicite nga SHBA-ja ndaj Kosovës, përkundër që sipas tij ka një ftohje të raporteve.
Gashi ka theksuar se Kosova duhet të bëjë gjithçka që ta ruajë miqësinë me SHBA-në. “Që të mos shkojmë një rruge që duket shumë e drejtë, por që në fakt kur askush nuk beson në të drejtën tënde, duhet ta kuptosh se është një lojë shumë më e gjatë”, ka deklaruar ai.
Gashi ka thënë se situata aktuale kërkon më shumë durim dhe urtësi. “Durim që në të ardhmen rrethanat do të mund të përmirësohen, që të jenë në favor për Kosovës, dhe urtësi për të kuptuar që kaq mund të fitohet tashmë”, ka theksuar ai.
Gashi ka folur edhe për idenë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për mbajtjen e një konference në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij të dy vendet shumë herë kanë qenë në procese të mëdha negociatore dhe janë marr vesh për çka kanë mundur.
Gashi ka thënë se ajo që nuk ka ndryshuar është raporti i fuqisë së dy shteteve dhe përkrahja e BE-së për Kosovën. “Në vend se të insistojmë që këto dy shtete të pajtohen, duhet të insistojmë që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Kosovën, sepse kur Kosova dhe Serbia të jenë të barabarta në raporte dhe diskutime, pastaj edhe Serbia e ka të vështirë të kërkojë më shumë jashtë asaj që Kosova ka dëshmuar”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij SHB-ja dhe BE-ja duhet të bëjnë presion që 5 vendet mosnjohëse ta njohin Kosovën.