Më shumë se 150 drejtues nga kompanitë me bazë në Evropë, në mes të cilave edhe Siemens, Renault dhe Airbus, i kanë dërguar një letër të hapur Bashkimit Evropian duke u kërkuar politikanëve të rimendojnë planet rregullatore të Inteligjencës artificiale.
Drejtuar Parlamentit Evropian, Komisionit dhe Shteteve Anëtare, letra, e marrë nga Financial Times, kritikon të ashtuquajturin “Akti i AI”, dokumenti që BE planifikon të aplikojë në një afat të shkurtër për të monitoruar projektet e inteligjencës artificiale.
Sipas nënshkruesve, ligji mund të “rrezikojë konkurrencën dhe sovranitetin teknologjik të Evropës”, duke kufizuar iniciativat e inteligjencës artificiale në fillim.
Në mars, Elon Musk, së bashku me një mijë studiues dhe menaxherë të kompanive të Silicon Valley, u kishte kërkuar kompanive që zhvillojnë zgjidhje të AI që të “marrë një pushim” prej të paktën gjashtë muajsh, për të menduar për pasojat e mundshme të teknologjisë shumë të avancuar dhe inteligjente.
Një nga shqetësimet e ngritura në Evropë nga letra e fundit ka të bëjë me rregullat e parashikuara për kontrollin e sistemeve gjeneruese të inteligjencës artificiale, si ChatGpt aktual, i zhvilluar nga Open AI me mbështetjen financiare të Microsoft.
Sipas Aktit të AI, ata që ndërtojnë modele të inteligjencës artificiale, pavarësisht nga fusha e aplikimit, do të duhet të regjistrojnë produktin përfundimtar në BE, duke iu nënshtruar kështu llojeve të ndryshme të vlerësimeve, duke përfshirë kërkesën e mundshme për të dhënë procedurat dhe informacionin, të mbrojtur edhe nga sekreti i kompanisë, të përdorura për trajnimin e modeleve.
Një skenar shumë i rreptë, i cili do të bënte që shumë gjigantë të largoheshin nga tregu europian dhe të shkonin diku tjetër.
“Evropa nuk mund të përballojë të qëndrojë mënjanë – thuhet në letër – zbatimi i këtyre parimeve duhet t’i besohet një organi rregullator të përkushtuar të përbërë nga ekspertë. Një procedurë që do të zhvillohet në dialog me ekonominë”.
Parlamenti Evropian miratoi një draft të Aktit të AI-së më 14 qershor, pas dy vitesh punë, duke zgjeruar tekstin me përparimet më të fundit në inteligjencën artificiale gjeneruese.