Ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili ka përjetuar vitin 1999 kur NATO bombardoi ushtrinë serbe në Kosovë, ka komentuar vizitën e sotme të ish-presidentit Bill Clinton. Gjatë intervistës së tij në “Open”, ai komentoi pak edhe situatën në Kosovë aktualisht, dhe reagimet dhe qëndrimet që po mban Albin Kurti.
Ai tha se Kurti nuk po punon kundër interesave të Kosovës, por është duke bërë presion që ndërkombëtarët të kuptojnë rrezikun që i kanoset këtij shteti nga grupet e sponsorizuara nga Beogradi, të cilat kanë si qëllim destabilitetin. Më tej ai tha se sa i takon metodologjisë që Kurti po ndjek në politikë, ngjason pak me metodologjinë e Ramës.
“Te Kurti duhet të bësh një dallim, në këtë pikë ngjan me Edi Ramën, për metodologjinë. Për të krijuar diferencë nga të tjerët ka aplikuar dhe terma kundër politikës amerikane. Ka dashur të krijojë përballë votuesve të vet cila është diferenca mes partive të tjera dhe Vetëvendosjes, dhe e ktheu këtë parti në një ngjarje të mirëfilltë politike.
Kjo ngjason pak a shumë me atë metodologjinë e Ramës që shkon për të votuar me pantallona të shkurtra dhe çorape të kuqe, ose metodologjinë që tërheqin vëmendjen. Nuk besoj se Kurti po punon për interesa kundër vendit të tij, por po bën presion maksimal që perëndimi të kuptojë që dhe ai e ka një hall, që është grupet e sponsorizuara nga Beogradi dhe më gjerë që po përpiqen të krijojnë destabiltet në Kosovë”, tha ai.