Kryeministri Albin Kurti, në shënimin e përvjetorit të 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë, tha se Kosova është padyshim evropiane.
Duke uruar Këshillin për këtë ditë të veçantë, Kurti foli për mundësitë të cilat Republika e Kosovës i ofron, potencialin zhvillimor, punën dhe arritjet e Qeverisë.
“Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimit në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës. Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, ne i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë” tha Kurti.
Ai theksoi se Qeveria ka marrë përsipër të kryejë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin në dialog të rëndësishëm me sektorin privat.
Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen.
“Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese”, shtoi kryeministri.
“Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku,” tha Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.