Një propozim i ri i BE-së si mundësi për shtensionim në veri të Kosovës

by informim

Përderisa çdo ditë po rriten thirrjet për “shtensionim urgjent” të situatës në veri të Kosovës, analisti politik nga Prishtina, Imer Mushkolaj, vlerëson se “presionet” e bashkësisë ndërkombëtare nuk po japin rezultate, prandaj sipas tij, duhet një qasje e re e Bashkimit Evropian që të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe e qëndrueshme.

Ndërkaq, Igor Markoviq nga organizata joqeveritare “Aktiv” me seli në Mitrovicë të Veriut beson se bashkësia ndërkombëtare po e “humb durimin” dhe nga ta shumë shpejt mund të priten hapa më konkretë.

banner

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, Qeveria e Kosovës ende nuk ka lëvizur në drejtim të përmbushjes së tri kërkesave kryesore për shtensionimin e situatës në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që “t’i përgjigjet kërkesave nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë për shtensioniin e situatës, duke përfshirë zbatimin e propozimit trepikësh të propozuar nga BE-ja”.

Këto kërkesa u cilësuan jetike për qetësimin e situatës edhe nga kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, gjatë një konference për media në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 4 korrik.

Por, analisti politik, Imer Mushkolaj, nuk beson se insistimi i ndërmjetësuesve evropianë të dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, në zbatimin e kërkesave të bllokut, do të çojë në shtensionim dhe në një zgjidhje të shpejtë e të qëndrueshme.

“Insistimi i ndërmjetësve ndërkombëtarë se nuk heqin dorë nga tri kërkesat që i kanë bërë, thjesht nuk prodhon rezultat dhe në një situatë të tillë kjo gjendje mund të vazhdojë me javë të tëra”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, edhe vetë kryeministri kosovar Kurti, duhet t’i kontribuojë shtensionimit të situatës.

Igor Markoviq nga organizata joqeveritare “Aktiv” nuk beson se Kurti do të ndryshojë qasje në një të ardhme të afërt.

Ai nuk e përjashton mundësinë që bashkësia ndërkombëtare “të humbë durimin” dhe të ndërmarrë hapa drejt qetësimit të tensioneve në veri të Kosovës.

“Besoj thellë se në një moment ata do të duhet të ndërhyjnë sepse është praktikisht e pamundur të flitet për dialog politik mes Beogradit dhe Prishtinës tani. Është e pamundur të bindësh [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin dhe [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiqin që të ulen në tryezë dhe të negociojnë disa hapa që do të çonin në qetësimin e tensioneve”, thotë Markoviq.

Që kur janë rritur tensionet, Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar rund të ri të dialogut. Megjithatë, ata kanë marrë pjesë në një “takim krize” në Bruksel, me ndërmjetësuesit evropianë në qershor, por këto takime përfunduan pa rezultate.

Nevoja për një propozim të ri të BE-së

Vendet perëndimore ia kanë bartur përgjegjësinë për tensionet e rritura në veri kryeministrit Kurti, pasi Qeveria e tij insistoi dhe mbështeti që kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të hynin në zyrat e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit.

Kjo u kundërshtua nga popullata lokale serbe, e cila është shumicë në ato komuna.

Kryetarët e rinj u zgjodhën në zgjedhjet e prillit, të cilat u bojkotuan nga subjektet dhe popullata serbe në veri.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u plagosën dhjetëra persona nga të dyja palët.

Që nga kjo kohë, Policia e Kosovës po qëndron në objektet komunale në veri dhe hapësirat përreth.

Për shkak të moszbatimit të kërkesave, BE-ja po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, sipas Mushkolajt, kjo formë e veprimit nuk garanton shtensionim të situatës.

“Unë konsideroj që një formë e tillë e ndëshkimit nuk do të jetë e efektshme pasi kështu nuk mund të lëvizjet përpara drejt shtensionimit, përderisa BE-ja si lehtësuese e dialogut [Kosovë-Serbi] nuk jep propozime të tjera”, thotë ai.

Markoviq beson se situata “ka dalë jashtë kontrollit” sepse kryeministri i Kosovës “pas shumë thirrjeve për shtensionim të situatës, në fakt ka ndërmarrë disa hapa që nuk të çojnë në atë drejtim”.

Një nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kurtit ishte shpallja e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” – dy organizata që besohet se veprojnë në veri – si organizata terroriste.

SHBA-ja tha se Kurti nuk u koordinua me Uashingtonin dhe aleatët e tjerë perëndimorë për këtë vendim dhe i bëri thirrje Qeverisë në Prishtinë që të mos ndërmarrë “lëvizje të njënshme”.

“Sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë do të kufizohet hapësira për ndërmarrjen e vendimeve të mira”, thekson Markoviq.

Përgjigja e Kurtit për kërkesat e BE-së

Më 29 qershor, Kurti prezantoi planin e tij për shtensionimin e situatës në veri. Ai ritheksoi qëndrimin e tij se është i gatshëm të zvogëlojë praninë e policisë në veri dhe të organizojë zgjedhje të reja, por gjithmonë duke respektuar rendin dhe ligjin.

Një nga kërkesat e tij është që të ndiqen penalisht të gjithë ata që qëndrojnë pas incidenteve në veri të Kosovës.

Më 3 korrik, Kurti tha gjithashtu se autoritetet e Kosovës kanë identifikuar 45 persona të cilët, sipas tij, kanë marrë pjesë në sulme dhe dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ditëve të fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar disa serbë nga veriu i Kosovës, të cilët kanë thënë se dyshohen se kanë kryer këto vepra penale. /rel/

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy